Veprat

Kapitulli: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28

Kapitulli 1

1 Tregimin e parë, o Teofil, e bëra për të gjitha ato që filloi të bëjë e të mësojë Jezusi,

2 deri në ditën kur Ai u ngrit lart, pasi u la porosi, me anë të Frymës së Shenjtë, apostujve që kishte zgjedhur.

3 Pas vuajtjeve që kaloi, Ai iu paraqit atyre i gjallë me shumë prova bindëse. Iu shfaq atyre për dyzet ditë, duke folur për mbretërinë e Perëndisë.

4 Kur u mblodhën së bashku, i urdhëroi të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të pritnin premtimin e Atit, të cilin, tha Ai, e keni dëgjuar prej Meje.

5 Sepse Gjoni, vërtet pagëzoi me ujë, por ju brenda pak ditëve do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë.

6 Pastaj, kur u mblodhën së bashku, ata e pyetën: "Zot, a është kjo koha kur do t’ia rikthesh mbretërinë Izraelit?"

7 Ai u tha: "Nuk ju përket juve të dini kohët apo periudhat që ka caktuar Ati me pushtetin e Vet.

8 Por ju do të merrni fuqi, kur mbi ju do të vijë Fryma e Shenjtë, dhe do të jeni dëshmitarët e Mi, si në Jeruzalem, ashtu edhe në gjithë Judenë e Samarinë dhe deri në fund të dheut."

9 Me të thënë këto, ndërsa ata po e shikonin, Ai u ngrit lart dhe një re ua zhduku prej syve.

10 Në kohën që i kishin ngulur sytë në qiell, ndërsa Ai po largohej, ja, pranë tyre po qëndronin dy burra me rroba të bardha.

11 "O burra të Galilesë", thanë ata. "Përse qëndroni duke vështruar në qiell? Ky Jezus, që u ngrit lart në qiell, larg prej jush, do të vijë në po atë mënyrë që e patë të largohej në qiell."

12 Pastaj ata u kthyen në Jeruzalem nga mali që quhet i Ullinjve, që është pranë Jeruzalemit, sa një rrugë të shtune.

13 Pasi hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku ishin Pjetri, Gjoni, Jakobi, Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut, Simoni i Zellshmi dhe Juda i biri Jakobit.

14 Këta të gjithë, me një mendje, i ishin përkushtuar lutjes, së bashku me gratë, me Marinë nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e Tij.

15 Në ato ditë, Pjetri u ngrit në mes të vëllezërve (grumbulli i njerëzve të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha,

16 "Vëllezër, duhej të përmbushej Shkrimi, që kishte thënë më parë Fryma e Shenjtë, nëpërmjet gojës së Davidit, për Judën, i cili u bë udhërrëfyesi i atyre që kapën Jezusin.

17 Sepse ai numërohej si një nga ne dhe gëzoi një pjesë të kësaj shërbese."

18 (Ky pra, fitoi një arë si shpërblim për të keqen dhe, duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe i dolën jashtë të gjitha zorrët.

19 E morën vesh të gjithë ata që banonin në Jeruzalem, saqë ajo arë u quajt në gjuhën e tyre Akeldama, që do të thotë, Ara e Gjakut.)

20 "Sepse është shkruar në librin e Psalmeve: ‘E shkretë iu bëftë shtëpia. Mos pastë njeri që të banojë në të’ dhe ‘Një tjetër i zëntë detyrën.’

21 Prandaj, është e domosdoshme që njëri nga ata që na kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës që Zoti Jezus hyri dhe doli midis nesh —

22 duke filluar nga pagëzimi i Gjonit deri në ditën kur Ai u mor prej nesh — duhet të bëhet bashkë me ne dëshmitar i ngjalljes së Tij."

23 Caktuan dy, Jozefin që quhej Barsaba (i mbiquajtur Just), dhe Matian.

24 Pastaj ata u lutën dhe thanë: "Ti, o Zot, njohës i zemrave të të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25 që të zërë vendin e apostullit të kësaj shërbese, të cilin e braktisi Juda për të shkuar në vendin e vet."

26 Hodhën short dhe shorti i ra Matias, i cili u radhit bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.



Kapitulli 2

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë së bashku në një vend.

2 Papritur nga qielli erdhi një ushtimë si një erë e furishme dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin ata.

3 Atyre iu shfaqën disa si gjuhë të zjarrta që shpërndaheshin, dhe qëndruan mbi secilin prej tyre.

4 Të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flisnin në gjuhë të tjera, siç i lejonte Fryma të shpreheshin.

5 Tani në Jeruzalem banonin judenj, burra të devotshëm ndaj Perëndisë, nga të gjitha kombet nën qiell.

6 Kur erdhi kjo zhurmë, u mblodh një turmë e madhe dhe njerëzit u hutuan, sepse secili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij.

7 Ata u mahnitën dhe u mrekulluan, duke thënë: "Ja, a nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin?

8 Qysh vallë secili nga ne i dëgjon ata në gjuhën e mëmës së vet?

9 Partë, medë, elamitë dhe banorë të Mesapotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,

10 të Frigjisë dhe të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të zonave të Libisë përballë Kirenës, të ardhur nga Roma,

11 judenj dhe prozelitë, kretas dhe arabë, i dëgjojmë duke folur në gjuhët tona për punët e mëdha të Perëndisë."

12 Të gjithë habiteshin dhe vrisnin mendjen, duke i thënë njëri-tjetrit: "Ç’të jetë kjo vallë?"

13 Të tjerë i përqeshnin dhe thoshin: "Janë dehur me musht."

14 Por Pjetri, duke u ngritur bashkë me të njëmbëdhjetë, ngriti zërin dhe u foli: "Burra të Judesë, dhe të gjithë ju që banoni në Jeruzalem, ta dini të gjithë ju, dhe u vini veshin fjalëve të mia,

15 sepse këta nuk janë të dehur, siç mendoni ju, sepse jemi ende në orën e tretë të ditës,

16 por kjo është ajo që është thënë nga profeti Joel,

17 ‘Kështu do të ndodhë në ditët e fundit,’ thotë Perëndia: ‘do të derdh Frymën Time mbi çdo njeri; bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.

18 Edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret e mia do të derdh në ato ditë Frymën Time dhe ata do të profetizojnë.

19 Do të bëj mrekullira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë, gjak e zjarr dhe re tymi.

20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, përpara se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.

21 Atëherë do të ndodhë që kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.’

22 Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezusi nga Nazareti, njeri i miratuar ndër ju nga Perëndia me anë të veprave të fuqishme, mrekullive dhe shenjave që Perëndia i kreu mes jush nëpërmjet Tij, siç e dini ju vetë —

23 ky Njeri ju dorëzua juve sipas planit të paracaktuar dhe parashikimit të Perëndisë dhe ju, me duart e të padrejtëve e gozhduat në kryq dhe e vratë.

24 Perëndia e ngjalli, duke e çliruar nga ankthi i vdekjes, sepse ishte e pamundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e vet.

25 Sepse Davidi thotë për Të: ‘Gjithmonë e kisha Zotin para syve të mi. Sepse Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem.

26 Prandaj gëzohet zemra ime dhe më ngazëllohet gjuha; madje edhe mishi im do të prehet në shpresë.

27 Sepse, Ti nuk do ta braktisësh shpirtin tim në ferr dhe nuk do të lejosh që i Shenjti Yt të shohë kalbjen.

28 Ti m’i mësove udhët e jetës; Ti do të më mbushësh plot me gëzim me praninë Tënde.’

29 Vëllezër! Mund t’ju them haptas për patriarkun David, që ai vdiq, u varros dhe varri i tij është midis nesh deri në këtë ditë.

30 Pra, duke qenë profet dhe, meqë e dinte që Perëndia i ishte betuar që një prej pasardhësve të tij do të ulej në fronin e tij,

31 ai parashikoi dhe foli për ngjalljen e Krishtit, kur tha që Ai nuk do të braktisej në ferr, as mishi i Tij nuk do të shihte kalbje.

32 Ky është Ai Jezus që e ngjalli Perëndia, dhe dëshmitarë për këtë jemi të gjithë ne.

33 Prandaj, i lartësuar në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, Ai ka derdhur këtë që ju shikoni dhe dëgjoni.

34 Sepse Davidi nuk u ngjit në qiej, por vetë ai thotë: ‘Zoti i tha Zotit tim, Ulu nga e djathta Ime,

35 derisa t’i bëj armiqtë e tu stol për këmbët e tua.’

36 Prandaj le ta dijë mirë çdo shtëpi e Izraelit se Perëndia e bëri edhe Zot edhe Krisht këtë Jezus, të cilin ju e kryqëzuat."

37 Kur e dëgjuan këtë, ata u pikëlluan në zemër dhe i thanë Pjetrit dhe apostujve të tjerë: "Vëllezër, ç’të bëjmë?"

38 Pjetri u tha: "Pendohuni dhe secili nga ju të pagëzohet në emër të Jezus Krishtit për faljen e mëkateve të veta dhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.

39 Sepse premtimi është për ju, për fëmijët tuaj dhe për të gjithë ata që janë larg, për të gjithë ata që do të thërrasë Zoti Perëndia ynë."

40 Dhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: "Shpëtoni veten nga ky brez i mbrapshtë!"

41 Kështu, ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan; atë ditë numrit të tyre iu shtuan rreth tri mijë shpirtra.

42 Ata i përkushtoheshin mësimit të apostujve, shoqërimit, thyerjes së bukës dhe lutjeve.

43 Gjithkujt i kishte hyrë njëfarë frike; shumë mrekulli dhe shenja po bëheshin prej apostujve.

44 Por të gjithë ata që besonin, rrinin së bashku dhe gjithçka e kishin të përbashkët.

45 Shitnin pronat e pasuritë dhe i ndanin ato me të gjithë, sipas nevojës që kishte gjithsecili.

46 Çdo ditë vazhdonin të mblidheshin në tempull, thyenin bukën nga shtëpia në shtëpi dhe hanin së bashku ushqimin me gëzim dhe me zemër të kthjellët,

47 duke lëvduar Perëndinë dhe duke gëzuar dashamirësinë e tërë popullit. Dhe Zoti çdo ditë i shtonte numrit të tyre edhe ata që shpëtoheshin.



Kapitulli 3

1 Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin për në tempull në orën e nëntë, që ishte ora e lutjes.

2 Sollën aty një njeri që kishte lindur i çalë, të cilin e vinin çdo ditë te porta e tempullit e quajtur ‘E Bukura’, për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.

3 Ai, kur pa Pjetrin dhe Gjonin që po hynin në tempull, filloi të lypte për të marrë lëmoshë prej tyre.

4 Pjetri ia nguli sytë, po ashtu edhe Gjoni, dhe i tha: "Na shiko!"

5 Ai po i shikonte me vëmendje, duke shpresuar të merrte ndonjë gjë prej tyre.

6 Por Pjetri i tha: "Argjend dhe ar nuk kam, por atë që kam, po ta jap: ‘Në emër të Jezus Krishtit nazaretas [ngrihu] dhe ec!’"

7 Si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti; menjëherë atij iu forcuan këmbët dhe kyçet.

8 Me një të hovur ai u ngrit më këmbë dhe filloi të lëvizte dhe hyri bashkë me ta në tempull duke ecur, duke kërcyer dhe duke lëvduar Perëndinë.

9 I gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lëvduar Perëndinë

10 dhe e njohën që ishte ai që rrinte ulur duke kërkuar lëmoshë para Portës së Bukur të tempullit dhe u mahnitën e u çuditën për atë që i kishte ndodhur.

11 Ndërsa ai nuk po i ndahej Pjetrit dhe Gjonit, i gjithë populli u turr i mrekulluar drejt tyre te vendi që quhej portiku i Solomonit.

12 Kur Pjetri e pa këtë, iu përgjigj popullit: "O burra të Izraelit, përse po mrekulloheni me këtë? Përse na i keni ngulur sytë sikur ta kishim bërë ne këtë njeri të ecë me fuqinë apo me përshpirtshmërinë tonë?

13 Perëndia i Abrahamit, [Perëndia] i Isakut, [Perëndia] i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, i ka dhënë lavdi shërbëtorit të Vet Jezus, të cilin ju e dorëzuat për ta vrarë dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai e pa të udhës që ta lironte.

14 Por ju mohuat të Shenjtin dhe të Drejtin dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës.

15 Ju vratë Princin e jetës, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve dhe për këtë ne jemi dëshmitarë.

16 Nëpërmjet besimit në emrin e Tij u bë i fortë ky që e shikoni dhe e njihni. Është emri i Jezusit dhe besimi që vjen nëpërmjet Tij ai që i dha këtë shëndet të plotë në prani të të gjithëve.

17 Dhe tani vëllezër, e di që keni vepruar nga padija, ashtu si edhe krerët tuaj.

18 Por kështu i përmbushi Perëndia ato që ka parathënë me gojën e të gjithë profetëve se Krishti i Tij do të vuante.

19 Prandaj pendohuni dhe kthehuni te Perëndia, që t’ju shlyhen mëkatet,

20 që të vijnë kohë freskimi nga prania e Zotit dhe që Ai të dërgojë Krishtin e caktuar që më parë për ju, Jezusin,

21 të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohët e ripërtëritjes së të gjitha atyre për të cilat ka folur Perëndia që në fillim me anë të gojës së profetëve të Vet të shenjtë.

22 Moisiu tha: ‘Zoti, Perëndia juaj do t’ju ngrejë një profet si unë prej vëllezërve tuaj; ta dëgjoni për gjithçka që do t’ju flasë.

23 Dhe çdo shpirt, që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të zhduket nga populli.’

24 Vërtet, të gjithë profetët, nga Samueli e këtej, të gjithë sa kanë folur, gjithashtu i kanë shpallur këto ditë.

25 Ju jeni bijtë e profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: ‘Nëpërmjet pasardhësve të tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut.’

26 Perëndia e ngjalli Shërbëtorin e Vet për ju më së pari, dhe e dërgoi për t’ju bekuar, duke e kthyer secilin prej jush nga rrugët tuaja të liga."



Kapitulli 4

1 Ndërsa i flisnin popullit, tek ata u afruan kryepriftërinjtë, kryeroja e tempullit dhe saducenjtë,

2 të zemëruar që ata mësonin popullin dhe shpallnin me anë të Jezusit ngjalljen e të vdekurve.

3 Ata kapën Pjetrin dhe Gjonin dhe i shtinë në burg deri të nesërmen, sepse tashmë ishte ngrysur.

4 Shumë prej atyre, që e dëgjuan fjalën, besuan, dhe numri i burrave arriti [rreth] pesë mijë.

5 Ndodhi që të nesërmen, krerët e tyre, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem.

6 Aty ishin edhe kryeprifti Ana, Kaifa, Gjoni, Aleksandri dhe të gjithë ata që rridhnin nga familje kryepriftërinjsh.

7 I vunë në mes dhe filluan t’i pyesin: "Me çfarë pushteti dhe në emër të kujt e keni bërë këtë?"

8 Pastaj Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha: "Krerë të popullit dhe ju o pleq,

9 nëse ne sot po merremi në pyetje për një të mirë që i bëmë një njeriu të sëmurë, se si u shërua ky,

10 le ta dini të gjithë ju dhe i gjithë populli i Izraelit, se në emrin e Jezus Krishtit nga Nazareti, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, po qëndron ky përpara jush shëndetplotë.

11 Ky është guri, që ju ndërtuesit e hodhët poshtë dhe u bë guri i këndit.

12 Shpëtimi nuk gjendet tek asnjë tjetër, sepse njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, me anë të të cilit ne duhet të shpëtohemi."

13 Duke parë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe pasi e kuptuan që ishin njerëz të pashkolluar dhe të thjeshtë, mbetën të habitur dhe filluan të binden se këta kishin qenë me Jezusin.

14 Kur panë njeriun që ishte shëruar duke qëndruar bashkë me ta, nuk kishin ç’të thoshin kundër tyre.

15 I urdhëruan të dalin jashtë këshillit të lartë dhe filluan të këshillohen me njëri-tjetrin,

16 duke thënë: "Çfarë do të bëjmë me këta njerëz? Sepse për të gjithë ata që banojnë në Jeruzalem, është e qartë se një mrekulli e shënuar ka ndodhur nëpërmjet tyre dhe këtë nuk mund ta mohojmë.

17 Por që të mos përhapet më shumë në popull, t’i kërcënojmë që të mos i flasin asnjë njeriu në emër të Tij."

18 I thirrën e u dhanë urdhër që të mos flisnin fare dhe të mos mësonin më në emër të Jezusit.

19 Por Pjetri dhe Gjoni u përgjigjën dhe u thanë: "Po të jetë e drejtë para Perëndisë që t’ju dëgjojmë ju më shumë se Perëndinë, atëherë gjykoni vetë.

20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë e kemi dëgjuar."

21 Si i kërcënuan përsëri, i lanë të lirë (pasi nuk gjetën asnjë mënyrë se si t’i dënonin), për shkak të popullit, sepse të gjithë lëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.

22 Njeriu që kishte përjetuar mrekullinë e shërimit, ishte mbi dyzet vjeç.

23 Me t’u liruar, shkuan te njerëzit e vet dhe u treguan gjithë sa u kishin thënë kryepriftërinjtë dhe pleqtë.

24 Kur dëgjuan këtë, ata, duke iu drejtuar Perëndisë, thanë të gjithë së bashku me zë të lartë: "O Zot, Ti je Ai që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka në to.

25 Ti je Ai që, me anë të Frymës së Shenjtë, nëpërmjet gojës së atit tonë David, shërbëtorit Tënd, the: ‘Përse tërbohen kombet? Përse thurën popujt gjëra të kota?

26 Mbretërit e dheut u ngritën dhe krerët u mblodhën së bashku kundër Zotit dhe kundër Krishtit të Tij.’

27 Sepse, vërtet, në këtë qytet, Herodi edhe Ponc Pilati, bashkë me kombet dhe popujt e Izraelit, u mblodhën kundër shërbëtorit Tënd të shenjtë Jezus, të cilin Ti e vajose,

28 për të bërë të gjitha ato që dora dhe vullneti Yt kishin vendosur që më parë se do të ndodhnin.

29 Dhe tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e Tu të shpallin plot guxim fjalën Tënde.

30 Zgjate dorën Tënde për të shëruar e për të bërë shenja e mrekulli nëpërmjet emrit të shërbëtorit Tënd të shenjtë Jezus."

31 Pasi u lutën, vendi ku ishin mbledhur, u tund dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin fjalën e Perëndisë me guxim.

32 Të gjithë ata që kishin besuar, kishin një zemër dhe një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se prona ishte e vetja, por gjithçka e kishin të përbashkët.

33 Apostujt, me një fuqi të madhe, bënin dëshmi për ngjalljen e Zotit Jezus dhe një hir i madh i mbuloi ata të gjithë.

34 Sepse, midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, pasi gjithë sa ishin pronarë tokash ose shtëpish, i shitnin dhe sillnin vlerat e atyre që kishin shitur,

35 dhe i vinin në këmbët e apostujve; secilit i ndahej sipas nevojës që kishte.

36 Jozefi, një levit me prejardhje nga Qiproja, që apostujt e quanin Barnaba (që po të përkthehet, do të thotë Bir Ngushëllimi),

37 shiti një arë që e kishte pronë të vetën. I solli paratë dhe i vuri te këmbët e apostujve.



Kapitulli 5

1 Por një burrë me emrin Anania, së bashku me të shoqen Safira, shiti një arë,

2 dhe me dijeni të gruas, mbajti për vete një sasi të parave. Solli pjesën tjetër dhe e vuri te këmbët e apostujve.

3 Pjetri tha: "Anania, përse të ka mbushur Satani zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash për vete prej parave të arës?

4 A nuk ishte jotja, sa ishte e pashitur? Dhe, pasi u shit, a nuk ishin paratë të tuat? Ç’pate që e mendove në zemrën tënde këtë veprim? Nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë."

5 Anania, me të dëgjuar këto fjalë, ra përtokë dhe dha shpirt; një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që e dëgjuan.

6 Të rinjtë, si u ngritën, e mbështollën, e nxorën jashtë dhe e varrosën.

7 Pastaj, rreth tri orë më vonë, erdhi e shoqja, e cila nuk dinte ç’kishte ndodhur.

8 Pjetri i tha: "Më thuaj, a e dhatë arën për kaq?" Ajo tha: "Po, për aq."

9 Atëherë Pjetri i tha: "Ç’patët që ratë në një mendje për të vënë në provë Frymën e Zotit? Ja, te dera janë këmbët e atyre që varrosën tët shoq dhe do të të nxjerrin edhe ty."

10 Ajo ra menjëherë te këmbët e Pjetrit dhe dha shpirt. Kur hynë të rinjtë, e gjetën të vdekur dhe, pasi e nxorën jashtë, e varrosën pranë të shoqit.

11 Një frikë e madhe e pushtoi të tërë kishën si edhe të gjithë ata që i dëgjuan këto.

12 Nëpërmjet duarve të apostujve bëheshin shumë shenja dhe mrekulli në popull; të gjithë mblidheshin së bashku në portikun e Solomonit.

13 Nga të tjerët asnjë nuk guxonte të bashkohej me ta, megjithëse populli i ngrinte lart.

14 Megjithatë ata që besonin në Zotin, si burra ashtu edhe gra, shtoheshin edhe më shumë,

15 aq sa i nxirrnin të sëmurët nëpër rrugë dhe i vinin në shtretër e hasra, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjërin prej tyre.

16 Edhe turma nga qytetet përreth Jeruzalemit vinte aty, duke sjellë të sëmurët dhe ata që lëngonin nga frymë të papastra, dhe të gjithë shëroheshin.

17 Atëherë kryeprifti, si dhe të gjithë ata që ishin me të (domethënë sekti i saducenjve), u vunë në lëvizje dhe u hyri smira.

18 I kapën apostujt dhe i shtinë në burgun publik.

19 Por një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut gjatë natës dhe, pasi i nxori jashtë, u tha,

20 "Shkoni e rrini në tempull dhe folini popullit të gjithë mesazhin e kësaj jete."

21 Ata, kur e dëgjuan këtë, hynë në tempull në të gdhirë dhe filluan të mësonin njerëzit. Kryeprifti dhe ata që ishin me të, me të arritur, mblodhën këshillin dhe gjithë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan një njeri në burg që t’i sillte.

22 Kur erdhën rojat, nuk i gjetën në burg dhe si u kthyen, njoftuan,

23 e thanë: "E gjetëm burgun të kyçur e të siguruar mirë me rojat që qëndronin te dyert. Por kur i hapëm, nuk gjetëm njeri brenda."

24 Kryeroja e tempullit dhe kryepriftërinjtë, kur e dëgjuan këtë fjalë, po vritnin mendjen se si do të vente kjo punë.

25 Por dikush erdhi dhe u tregoi: "Ja, burrat që ju futët në burg, po rrinë në tempull e po mësojnë popullin."

26 Atëherë kryeroja së bashku me kujdestarët iu afrua atyre, por pa përdorur dhunë, sepse i druheshin popullit, se mos i vrisnin me gurë.

27 Me t’i sjellë, i vunë të qëndronin para këshillit. Kryeprifti u bëri pyetje,

28 duke thënë: "A nuk ju dhamë urdhër të rreptë që të mos mësoni më në emër të Atij? Ja, e keni mbushur Jeruzalemin me mësimet tuaja dhe keni ndër mend të na bëni fajtor për gjakun e atij njeriu."

29 Por, Pjetri dhe apostujt u përgjigjën dhe thanë: "Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.

30 Perëndia i etërve tanë ngjalli Jezusin, të cilin ju e vratë duke e varur në një dru.

31 Këtë Perëndia e ngriti në të djathtën e Vet, si Princ dhe Shpëtimtar, për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.

32 Ne jemi dëshmitarë të këtyre gjërave, po ashtu edhe Fryma e Shenjtë, të cilën Perëndia ua dha atyre që i binden Atij."

33 Duke e dëgjuar këtë, ata tërboheshin dhe mendonin që t’i vrisnin.

34 Por një farize, me emrin Gamaliel, mësues i Ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit dhe pasi urdhëroi që t’i nxirrnin jashtë apostujt për pak kohë,

35 u tha: "O burra të Izraelit, mendohuni mirë për ato që keni ndër mend t’u bëni këtyre njerëzve.

36 Sepse pak kohë më parë, u ngrit Teuda, duke pretenduar se ishte dikushi, dhe rreth katërqind veta u bashkuan me të. Ai u vra dhe gjithë sa iu bindën atij, u shpërndanë dhe u zhdukën.

37 Pas këtij, në ditët e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda galileasi dhe tërhoqi popullin pas vetes; edhe ai u zhduk dhe gjithë sa iu bindën atij, u shpërndanë.

38 Tani po ju them, qëndroni larg prej këtyre njerëzve dhe lërini në punën e tyre, sepse, nëse ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, do të prishet.

39 Nëse është prej Perëndisë, ju nuk do të mund t’i shkatërroni dot. Ju veçse do të përfundoni duke luftuar Perëndinë." Dhe ata u bindën prej këtyre fjalëve.

40 Pasi i thirrën apostujt dhe i rrahën, i urdhëruan të mos flitnin në emër të Jezusit dhe i liruan.

41 Atëherë apostujt u larguan nga këshilli, të gëzuar, sepse u vlerësuan të denjë të çnderohen për shkak të emrit të Tij.

42 Çdo ditë, në tempull dhe duke shkuar shtëpi në shtëpi, apostujt nuk pushonin së mësuari njerëzit dhe së predikuari Jezusin si Krisht.



Kapitulli 6

1 Në ato ditë, ndërsa dishepujt shtoheshin, judenjtë greqishtfolës filluan të pëshpëritin kundër hebrejve vendas, sepse nuk i përfillnin vejushat e tyre në shpërndarjen ditore të ushqimit.

2 Të dymbëdhjetët thirrën turmën e dishepujve dhe thanë: "Nuk është mirë për ne të lëmë mënjanë Fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

3 Zgjidhni pra, vëllezër, shtatë burra midis jush, me emër të mirë, plot me Frymë dhe mençuri, që t’u ngarkojmë këtë detyrë.

4 Por ne nuk do të heqim dorë nga lutja dhe nga shërbesa e fjalës."

5 Kjo fjalë i pëlqeu të gjithë turmës dhe zgjodhën Stefanin, një burrë plot me besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

6 I vunë përpara apostujve dhe, duke u lutur, vunë duart mbi ta.

7 Fjala e Perëndisë përhapej; numri i dishepujve në Jeruzalem shtohej shumë shpejt dhe një grup i madh priftërinjsh filloi t’i bindej besimit.

8 Stefani, plot me hir dhe fuqi, kryente mrekulli dhe shenja të mëdha në popull.

9 Disa njerëz nga sinagoga e quajtur e libertinëve, e kirenarëve, e aleksandrinëve, si edhe disa nga Cilicia dhe Azia, u ngritën dhe bënë fjalë me Stefanin.

10 Ata nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë mençurisë dhe Frymës me të cilën fliste ai.

11 Atëherë shtynë disa njerëz që të thoshin: "E kemi dëgjuar duke thënë blasfemi kundër Moisiut dhe Perëndisë."

12 Ata nxitën popullin, pleqtë e skribët; u sulën mbi të, e kapën dhe e çuan në këshillin e lartë.

13 Paraqitën dëshmi të rreme, duke thënë: "Ky njeri nuk pushon së foluri kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër Ligjit.

14 Sepse ne e kemi dëgjuar kur thoshte që ky nazaretas, Jezusi, do ta shkatërrojë këtë vend të shenjtë dhe do t’i ndryshojë zakonet që na ka lënë Moisiu."

15 Të gjithë ata që ishin ulur në këshillin e lartë, ia kishin ngulur sytë Stefanit dhe panë që fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.



Kapitulli 7

1 Kryeprifti tha: "Vallë, kështu vërtet janë këto punë?"

2 Ai tha: "O vëllezër dhe etër, dëgjoni! Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abraham kur ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran,

3 dhe i tha: ‘Ik prej vendit e prej farefisit tënd dhe eja në vendin që do të të tregoj Unë.’

4 Ai u largua prej vendit të kaldenjve dhe u vendos në Haran. Dhe prej andej, pasi i vdiq i ati, Perëndia e solli në këtë vend ku po banoni ju tani.

5 Nuk i dha asnjë trashëgim në të, as edhe një pëllëmbë tokë, por i premtoi që t’ia jepte si pronë atij dhe pasardhësve të tij, megjithëse në atë kohë nuk kishte fëmijë.

6 Pra, Perëndia i foli kështu: ‘Pasardhësit e tu do të banojnë si të huaj në dhe të huaj dhe do t’i skllavërojnë e do t’i keqtrajtojnë për katërqind vjet.

7 Por, kombin, skllevër të të cilit do të bëhen, do ta gjykoj Unë Vetë,’ tha Perëndia: ‘dhe pastaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë Mua në këtë vend.’

8 Pastaj i dha besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë; Isakut i lindi Jakobi dhe Jakobit të dymbëdhjetë patriarkët.

9 Patriarkët, duke pasur smirë për Jozefin, e shitën si skllav në Egjipt. Por Perëndia ishte me të.

10 E shpëtoi nga të gjitha mundimet, i dha hir dhe mençuri përpara Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.

11 Një zi buke e mbuloi tërë Egjiptin dhe Kanaanin, duke sjellë një mjerim të madh; etërit tanë nuk mund të gjenin ushqim.

12 Por kur Jakobi dëgjoi që në Egjipt kishte grurë, dërgoi herën e parë etërit tanë.

13 Herën e dytë Jozefi u dha të njohur vëllezërve të tij dhe Faraoni e mori vesh nga ç’familje vinte Jozefi.

14 Jozefi dërgoi dhe ftoi Jakobin, atin e vet, dhe të gjithë farefisin, shtatëdhjetë e pesë veta gjithsej.

15 Pastaj Jakobi zbriti në Egjipt dhe atje vdiq ai dhe etërit tanë.

16 Prej andej i sollën në Sikem dhe i vunë në varrin që pati blerë me para Abrahami prej bijve të Emorit në Sikem.

17 Por, ndërsa po afronte koha e premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, numri i njerëzve tanë në Egjipt u shtua dhe u shumua.

18 Pastaj doli një mbret tjetër, i cili nuk e njihte Jozefin.

19 Ky përdori mashtrime me njerëzit tanë dhe i keqtrajtoi etërit tanë, aq sa i detyroi t’i flaknin foshnjat e tyre, që të vdisnin.

20 Në këtë kohë lindi Moisiu, një fëmijë i dashur për Perëndinë; tre muaj u përkujdesën për të në shtëpinë e të atit.

21 Kur e nxorën jashtë, atë e mori e bija e Faraonit dhe e rriti si birin e vet.

22 Moisiu u edukua me gjithë mençurinë e egjiptianëve; ishte i fuqishëm në fjalë dhe në vepra.

23 Por kur mbushi moshën dyzet vjeç, pati dëshirë të vizitonte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit.

24 Kur pa dikë që po trajtohej padrejtësisht, i doli krah dhe mori hak për të shtypurin, duke goditur egjiptianin.

25 Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po u jepte shpëtim nëpërmjet dorës së tij, por ata nuk e kuptuan.

26 Ditën tjetër doli para tyre kur ata po ziheshin, dhe u përpoq t’i pajtonte, duke thënë: ‘O burra, jeni vëllezër, përse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?’

27 Por ai që ia bënte me të padrejtë të afërmit të vet, e shtyu tutje, duke thënë: ‘Kush të ka caktuar ty të parë dhe gjykatës mbi ne?

28 Mos do që të më vrasësh, ashtu siç vrave dje egjiptianin?’

29 Dhe Moisiu, për shkak të kësaj fjale, iku dhe jetoi si i huaj në Madian, ku i lindën dy djem.

30 Kur u mbushën dyzet vjet, atij iu shfaq një engjëll në shkretëtirën pranë malit Sinai, në flakën e zjarrit të një drize.

31 Moisiu, me ta parë, u mrekullua me këtë pamje; kur u afrua për ta vënë re më nga afër, u dëgjua zëri i Zotit,

32 ‘Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit.’ Moisiu dridhej nga frika dhe nuk guxonte ta vështronte.

33 Por Zoti i tha: ‘Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po shkel, është tokë e shenjtë.

34 Unë e kam parë mirë mundimin e popullit Tim në Egjipt, i kam dëgjuar rënkimet e tyre dhe kam zbritur që t’i çliroj; dhe tani, eja se do të të dërgoj në Egjipt.’

35 Atë Moisi, të cilin ata e kishin mohuar kur i thanë: ‘Kush të caktoi ty të parë dhe gjykatës?’, pikërisht atë kishte dërguar Perëndia si të parë dhe si çlirues me ndihmën e engjëllit, që i ishte shfaqur atij te driza.

36 Ky i nxori ata jashtë nga Egjipti dhe bëri mrekulli dhe shenja në Egjipt, në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë për dyzet vjet.

37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: ‘Perëndia do t’ju nxjerrë një profet prej vëllezërve tuaj, një profet si unë.’

38 Ky është ai që ishte me njerëzit e mbledhur në shkretëtirë bashkë me engjëllin që i foli atij në malin Sinai; atje ishin edhe etërit tanë; ai mori fjalët e gjalla për të na i dhënë neve.

39 Etërit tanë nuk deshën t’i binden; për më tepër e hodhën poshtë dhe i kthyen zemrat nga Egjipti,

40 kur i thanë Aaronit: ‘Na bëj disa perëndi që të na paraprijnë; sepse këtij Moisiu që na nxori nga toka e Egjiptit, nuk e dimë ç’i ka ndodhur.’

41 Në ato ditë ata bënë një idhull në formën e një viçi, i sillnin flijim dhe gëzoheshin me veprat e duarve të tyre.

42 Por Perëndia u largua prej tyre dhe i la të adhurojnë ushtrinë e qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve. ‘Mos më ofruat Mua kurbane dhe flijime për dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpi e Izraelit?

43 Ju ngritët tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë [suaj] Remfan, figura që i bëtë për t’i adhuruar; prandaj do t’ju mërgoj përtej Babilonisë.’

44 Etërit tanë kishin tendën e dëshmisë në shkretëtirë, siç kishte urdhëruar Ai që i kishte thënë Moisiut, ta bënte atë sipas shëmbëlltyrës që kishte parë.

45 Etërit tanë, pasi e morën tendën, e sollën bashkë me Joshuan në vendin që ishte pronë e kombeve, të cilat Perëndia i kishte përzënë përpara etërve tanë, deri në ditët e Davidit.

46 Ky gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të gjente një vend banimi për Perëndinë e Jakobit.

47 Por Solomoni ishte ai që i ndërtoi Atij shtëpi.

48 Megjithatë, Më i Larti nuk banon në shtëpi të bëra nga duar njerëzish, siç thotë profeti,

49 ‘Qielli është froni Im dhe toka është stol për këmbët e Mia. Ç’lloj shtëpie do të më ndërtoni ju Mua? Cili është vendi i prehjes Sime?

50 A nuk ishte dora Ime ajo që i bëri të gjitha këto gjëra?’

51 O njerëz kokëfortë, të parrethprerë nga zemra e nga veshët, ju gjithmonë i kundërviheni Frymës së Shenjtë. Edhe ju po veproni si etërit tuaj.

52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? I vranë ata që kishin shpallur më parë ardhjen e Të Drejtit. Dhe tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e Tij.

53 Ju e morët ligjin që u vu në jetë nëpërmjet engjëjve dhe nuk e mbajtët."

54 Kur dëgjuan këto, ata filluan të tërbohen në zemrat e tyre dhe t’i kërcëllojnë dhëmbët atij.

55 Por Stefani, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i mbërtheu sytë në qiell dhe pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin duke qëndruar nga e djathta e Perëndisë

56 dhe tha: "Ja, po shoh qiejt të hapen dhe Birin e Njeriut duke qëndruar nga e djathta e Perëndisë."

57 Por ata bërtitën me zë të lartë, zunë veshët dhe të gjithë së bashku u turrën mbi të.

58 Si e flakën jashtë qytetit, filluan ta qëllojnë me gurë. Ndërkohë dëshmitarët i vunë rrobat e veta tek këmbët e një djaloshi me emrin Saul.

59 Ata vazhdonin ta qëllonin Stefanin me gurë, ndërsa ky i bënte thirrje Zotit dhe thoshte: "O Zoti Jezus, pranoje frymën time!"

60 Pasi ra në gjunjë, thirri me zë të lartë: "O Zot, mos e vër mbi ta këtë mëkat." Si tha këtë, ra në gjumë.



Kapitulli 8

1 Sauli u pajtua me vrasjen e tij. Në atë ditë shpërtheu një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

2 Disa burra të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe e vajtuan me kujë të madhe.

3 Por Sauli filloi ta shkatërronte kishën. Hynte shtëpi më shtëpi, hiqte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.

4 Ata që ishin shpërndarë, shkonin anekënd duke predikuar fjalën.

5 Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikonte njerëzve Krishtin.

6 Turmat, kur dëgjonin dhe shikonin shenjat që bënte Filipi, u kushtonin vëmendje njëzëri atyre që thoshte ai.

7 Sepse frymët e papastra, duke klithur me zë të lartë, dilnin jashtë prej njerëzve që i kishin pushtuar, dhe shumë të paralizuar dhe ulokë shëroheshin.

8 Gëzim të madh pati ai qytet.

9 Në qytet ishte prej kohësh një burrë me emrin Simon, që bënte magjira duke mahnitur popullin e Samarisë dhe që e hiqte veten si njeri i madh.

10 Të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, e dëgjonin me vëmendje, duke thënë: "Ky është fuqia e Perëndisë, që njihet me emrin Fuqi e Madhe."

11 E dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e veta.

12 Por kur i besuan Filipit, që u predikonte lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë dhe emrin e Jezus Krishtit, atëherë filluan të pagëzohen, burra edhe gra.

13 Madje edhe vetë Simoni besoi; si u pagëzua, filloi t’i shkojë pas Filipit kudo dhe mahnitej kur shikonte që bëheshin shenja dhe mrekulli të mëdha.

14 Apostujt në Jeruzalem, kur dëgjuan që Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin.

15 Këta, kur arritën aty, filluan të luten për ta që të merrnin Frymën e Shenjtë.

16 Sepse Fryma nuk i kishte ardhur ende asnjërit prej tyre; ata vetëm sa kishin qenë pagëzuar në emër të Zotit Jezus.

17 Atëherë filluan të vënë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë.

18 Simoni, kur pa që apostujt jepnin Frymën e Shenjtë duke vënë duart e tyre, u ofroi atyre para

19 dhe u tha: "Ma jepni edhe mua këtë pushtet, në mënyrë që kujtdo që t’i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë."

20 Por Pjetri i tha: "U shofshin paratë e tua bashkë me ty, sepse kujtove se mund ta marrësh me para dhuratën e Perëndisë!

21 Ti nuk ke pjesë fare në këtë punë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë.

22 Pendohu pra, për këtë të keqe tënden dhe lutju Zotit, se ndoshta të falet ky mendim që ke në zemër.

23 Sepse po të shoh që ke vrer të hidhur dhe je lidhur me prangat e paudhësisë."

24 Por Simoni u përgjigj dhe tha: "Lutjuni Zotit për mua, që të mos më bjerë asgjë prej atyre që the."

25 Kështu, pasi bënë dëshmi dhe shpallën fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem dhe predikonin ungjillin në shumë fshatra të Samarisë.

26 Ndërkaq një engjëll i Zotit i foli Filipit dhe i tha: "Ngrihu dhe shko drejt jugut në rrugën që zbret nga Jeruzalemi për në Gazë; ajo është rrugë shkretëtire.

27 Ai u ngrit e shkoi. Dhe ja, një burrë etiopian, eunuk, oborrtar i Kandakës, mbretëreshës së Etiopisë, i cili kujdesej për të gjithë thesarin e saj, kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.

28 Kur po kthehej, ishte ulur në karrocën e vet dhe po lexonte profetin Isaia.

29 Fryma i tha Filipit: "Afrohu dhe ngjitju asaj korroce."

30 Filipi iu afrua me vrap dhe dëgjoi që ai po lexonte profetin Isaia dhe i tha: "A i kupton vallë ato që po lexon?"

31 Ai tha: "E si mund t’i kuptoj, pa m’i shpjeguar njeri?" Dhe iu lut Filipit që të hipte dhe t’i ulej pranë.

32 Pjesa e Shkrimit që ishte duke lexuar, ishte kjo: "E çuan si delen në thertore, i heshtur si qengji përpara qethësit, ashtu nuk e hapi gojën.

33 Duke qenë i përvuajtur, nuk i dhanë drejtësi. Kush do të dëshmojë për brezin e Tij? Sepse jeta e Tij u hoq nga toka."

34 Eunuku iu përgjigj Filipit dhe i tha: "Po të pyes, për kë e thotë profeti këtë, për veten e vet apo për ndonjë tjetër?"

35 Filipit iu çel goja dhe duke filluar nga ky Shkrim, i predikoi Jezusin.

36 Duke vazhduar udhën, arritën në një vend me ujë; eunuku tha: "Ja ku paska ujë! Ç’më pengon mua që të pagëzohem?"

38 Dhe dha urdhër të ndalonte karroca; të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën tek uji dhe Filipi e pagëzoi.

39 Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu papritur Filipin dhe eunuku nuk e pa më, por vazhdoi udhën i gëzuar.

40 Filipi u gjend në Azot; i ra kryq e tërthor vendit, dhe vazhdonte të predikonte ungjillin në të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.



Kapitulli 9

1 Ndërkohë Sauli shfrynte dhe kërcënonte se do t’i vriste dishepujt e Zotit. Ai shkoi te kryeprifti

2 dhe i kërkoi letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente burra ose gra që ndiqnin Udhën, t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.

3 Dhe ndodhi që, ndërsa udhëtonte, duke iu afruar Damaskut, papritur rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

4 Ai ra përdhe, dëgjoi një zë që i thoshte: "Saul, Saul, përse po më përndjek?"

5 I tha: "Kush je, o Zot?" Dhe Ai tha: "Jam unë, Jezusi, të cilin ti po përndjek.

6 Ngrihu e shko në qytet dhe do të të thonë se çfarë duhet të bësh."

7 Njerëzit që udhëtonin me të, kishin mbetur pa gojë; dëgjonin zërin, por nuk shihnin gjë.

8 Sauli u ngrit nga toka dhe, kur i hapi sytë, nuk mundi të shihte njeri; e morën prej krahu dhe e sollën në Damask.

9 Për tri ditë nuk mund të shihte, dhe as nuk hëngri, as nuk piu.

10 Në Damask ishte një dishepull me emrin Anania dhe Zoti i tha në një vegim: "Anania!" Ai tha: "Ja ku jam, o Zot!"

11 Zoti i tha: "Ngrihu dhe shko në rrugën që quhet E Drejtë dhe kërko në shtëpinë e Judës një burrë nga Tarsi me emrin Saul, sepse ja, ai po lutet.

12 Ai ka parë në një vegim një burrë me emrin Anania që kishte hyrë dhe kishte vënë duart e veta mbi të, që atij t’i kthehej drita e syve."

13 Por Anania iu përgjigj: "Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave për këtë njeri, se sa shumë të këqija u ka bërë shenjtërve të Tu në Jeruzalem.

14 Këtu i është dhënë pushtet nga kryepriftërinjtë për të burgosur të gjithë ata që thërresin emrin Tënd."

15 Por Zoti i tha: "Shko, sepse ky është mjeti që kam zgjedhur për të mbartur emrin Tim përpara kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse Unë do t’i tregoj atij se sa shumë duhet të vuajë për hir të emrit Tim."

17 Anania shkoi e hyri në shtëpi, vuri duart mbi të dhe tha: "Vëlla Saul, Zoti Jezus, që t’u shfaq gjatë rrugës kur po vije, më ka dërguar që ty të të kthehet drita e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë."

18 Menjëherë prej syve të tij ranë disa si sklepa; atij i erdhi drita e syve dhe, si u ngrit, u pagëzua.

19 Pasi hëngri, mori fuqi. Pastaj qëndroi për disa ditë me dishepujt në Damask.

20 Dhe, pa u vonuar filloi të predikonte Jezusin në sinagoga, duke thënë "Ky është Biri i Perëndisë."

21 Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin dhe thoshin: "A nuk është ky ai që i zhduku në Jeruzalem ata që thërrisnin këtë emër? A nuk ka ardhur këtu, që t’i sjellë ata të lidhur tek kryepriftërinjtë?"

22 Por Sauli vazhdonte të merrte më shumë fuqi dhe t’i hutonte judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.

23 Pasi kaluan shumë ditë, judenjtë vendosën së bashku që ta vrisnin,

24 por Sauli e mori vesh komplotin e tyre. Ata ruanin portat e qytetit ditë e natë, që ta vrisnin.

25 Por dishepujt e vet e morën natën dhe e zbritën nga muri, duke e ulur poshtë në një shportë.

26 Kur arriti në Jeruzalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë i druheshin atij, sepse nuk besonin që ai ishte vërtet dishepull.

27 Por Barnaba e mori dhe e solli tek apostujt dhe u tregoi atyre se si ai kishte parë Zotin në rrugë, se si i kishte folur atij dhe se si kishte predikuar pa frikë në Damask në emrin e Jezusit.

28 Ai hynte e dilte bashkë me ta në Jeruzalem, duke predikuar pa frikë në emrin e Zotit.

29 Fliste dhe bënte debat me judenjtë greqishtfolës, megjithëse ata përpiqeshin ta vrisnin.

30 Kur vëllezërit e morën vesh, e sollën në Cezare dhe e dërguan tutje në Tars.

31 Kështu kisha në tërë Judenë, Galilenë dhe Samarinë gëzonte paqe; vazhdonte të forcohej dhe, duke marrë zemër nga Fryma e Shenjtë, shumohej, duke ecur me frikën e Zotit.

32 Dhe ndodhi që ndërsa Pjetri udhëtonte nëpër të gjitha ato vende, zbriti edhe te shenjtërit që banonin në Lidë.

33 Atje gjeti një njeri me emrin Enea që dergjej në shtrat i paralizuar për tetë vjet.

34 Pjetri i tha: "Enea, Jezus Krishti po të shëron; ngrihu dhe ndreq hasrën." Ai u ngrit menjëherë.

35 Të gjithë që banonin në Lidë dhe në Saron e panë dhe u kthyen te Zoti.

36 Në Jopë ishte një dishepulle me emrin Tabita, që i përkthyer në greqishte do të thotë Dorkas, e cila bënte gjithnjë vepra të mira dhe bamirësi.

37 Në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq; pasi ia lanë trupin, e vunë në një dhomë sipër.

38 Meqenëse Lida ishte afër Jopës, dishepujt me të dëgjuar se Pjetri ishte atje, i dërguan dy veta, që t’i luteshin të shkonte tek ata pa u vonuar.

39 Pjetri u ngrit dhe shkoi bashkë me ta. Me të arritur, e çuan në dhomën e sipërme; të gjitha vejushat e rrethuan duke vajtuar dhe i tregonin tunikat dhe veshjet që kishte bërë Dorkas kur kishte qenë me to.

40 Pjetri i nxori të gjitha jashtë, u ul në gjunjë dhe u lut; pastaj u kthye nga trupi i gruas së vdekur e tha: "Tabita, çohu!" Ajo hapi sytë dhe, kur pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.

41 Ai i dha dorën dhe e ngriti; thirri shenjtërit e vejushat dhe ua nxori përpara të gjallë.

42 Kjo u mor vesh në tërë Jopën dhe shumë veta besuan në Zotin.

43 Dhe ndodhi që ai qëndroi shumë ditë në Jopë me njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.



Kapitulli 10

1 Në Cezare ishte një njeri me emrin Kornel, kryeqindës i asaj që quhet aradhe italiane.

2 Ishte njeri i përshpirtshëm dhe ai bashkë me gjithë shtëpinë e vet kishte frikë Perëndinë. I jepte bujarisht lëmosha popullit dhe i lutej Perëndisë vazhdimisht.

3 Rreth orës së nëntë të ditës ai pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që erdhi tek ai dhe i tha: "Kornel!"

4 Ai ia nguli sytë i tmerruar dhe tha: "Ç’është, o Zot?" Ai i tha: "Lutjet dhe lëmoshat e tua janë ngritur lart, që të kujtohen nga Perëndia.

5 Tani dërgo njerëz në Jopë dhe thirr njëfarë Simoni, që e quajnë Pjetër.

6 Ky po qëndron te njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë pranë detit."

7 Kur engjëlli që i foli u largua, ai thirri dy nga shërbëtorët e vet, si dhe një ushtar besnik nga ata që i shërbenin.

8 Ua tregoi të gjitha dhe i dërgoi në Jopë.

9 Të nesërmen, ndërsa ata vazhdonin udhëtimin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit majë shtëpisë rreth orës së gjashtë për t’u lutur.

10 E mori uria dhe donte të hante; kur po i përgatisnin diçka, ai ra në kllapi.

11 Pa qiellin të hapur dhe diçka si çarçaf të madh që po ulej në tokë nga të katër cepat.

12 Në të ishin lloj-lloj kafshësh katërkëmbëshe, zvarranikë toke dhe zogj të qiellit.

13 U dëgjua një zë që i tha: "Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!"

14 Por Pjetri tha: "Kurrsesi o Zot, sepse nuk kam ngrënë kurrë ndonjë gjë të ndotur e të papastër."

15 Përsëri u dëgjua zëri për së dyti: "Ato që Perëndia i ka pastruar, ti mos i quaj të ndotura."

16 Kjo ndodhi tri herë, dhe menjëherë çarçafi u tërhoq lart në qiell.

17 Dhe ja, ndërsa Pjetri vriste mendjen i hutuar, se ç’ishte vallë vegimi që kishte parë, njerëzit e dërguar nga Korneli, pasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u dukën te dera.

18 Duke thirrur, pyesnin a ishte aty Simoni, i mbiquajtur Pjetër.

19 Ndërsa Pjetri vriste mendjen për vegimin, Fryma i tha: "Ja, po të kërkojnë tre burra.

20 Prandaj ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, sepse Unë Vetë i kam dërguar ata."

21 Pjetri zbriti të takojë burrat dhe tha: "Ja, unë jam ai që kërkoni, përse keni ardhur këtu?"

22 Ata thanë: "Korneli, një kryeqindës, njeri i drejtë dhe që ka frikë Perëndinë, për të cilin dëshmon tërë kombi i judenjve, mori udhëzime nga një engjëll i shenjtë që të të ftojë në shtëpinë e vet dhe të dëgjojë ç’ke për t’i thënë."

23 Atëherë Pjetri i ftoi brenda që ta kalonin natën aty. Të nesërmen u ngrit e doli me ta, dhe disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan bashkë me të.

24 Të nesërmen, hyri në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin dhe miqtë e vet të ngushtë.

25 Kur hyri brenda Pjetri, Korneli i doli përpara, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi.

26 Por Pjetri e ngriti, duke thënë: "Ngrihu, edhe unë vetë njeri jam."

27 Duke biseduar me të, hyri brenda dhe pa që ishin mbledhur shumë veta.

28 U tha: "Ju e dini se nuk është e ligjshme për një njeri jude të shoqërohet me një të huaj ose të shkojë tek ai; por Perëndia më ka porositur që asnjë njeri të mos quaj të ndotur ose të papastër.

29 Prandaj, erdha pa ngurruar, kur më dërguan fjalë. Po ju pyes pra, për ç’arsye më keni thirrur?"

30 Korneli tha: "Katër ditë më parë, rreth kësaj kohe, po bëja lutjen e orës së nëntë në shtëpinë time dhe ja, përpara meje qëndroi një burrë me petka të shndritshme

31 dhe tha: ‘Kornel, lutja jote u dëgjua dhe Perëndia i ka kujtuar lëmoshat e tua.

32 Dërgo pra, një njeri në Jopë që të thërrasë Simonin, që i thonë Pjetër; ky po qëndron në shtëpinë e Simon lëkurëtarit, pranë detit.’

33 Kështu, menjëherë të dërgova njeri dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani pra, të gjithë jemi të pranishëm përpara Perëndisë, për të dëgjuar të gjitha ato që të janë urdhëruar nga Zoti."

34 Pjetrit iu hap goja dhe tha: "Në të vërtetë po e kuptoj që Perëndia nuk i mban anën askujt,

35 por pranon atë që e ka frikë dhe bën çka është e drejtë, çfarëdo kombi që të jetë.

36 Kjo është fjala që Perëndia u dërgoi bijve të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes me anë të Jezus Krishtit që është Zot i të gjithëve.

37 Ju e dini atë që ndodhi nëpër tërë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni,

38 se si Perëndia e vajosi Jezusin nga Nazareti me Frymë të Shenjtë dhe me fuqi, dhe se si Ai shkoi anembanë duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me Të.

39 Ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që bëri Ai në tokën e judenjve dhe në Jeruzalem. Ata e vranë duke e varur në një kryq.

40 Por Perëndia e ngjalli ditën e tretë dhe e bëri që t’i shfaqet

41 jo të gjithë njerëzve, por dëshmitarëve që ishin zgjedhur që më parë nga Perëndia, domethënë neve, të cilët hëngrëm dhe pimë me Të pasi u ngjall nga të vdekurit.

42 Ai na porositi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë që ky është Ai që u caktua nga Perëndia si gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.

43 Për Këtë dëshmojnë të gjithë profetët që çdo njeriu, që beson në Të, do t’i falen mëkatet nëpërmjet emrit të Tij."

44 Ndërsa Pjetri fliste këto fjalë, Fryma e Shenjtë i pushtoi të gjithë ata që dëgjonin fjalën.

45 Besnikët e rrethprerë, që kishin ardhur me Pjetrin, mbetën të mahnitur, që dhurata e Frymës së Shenjtë u derdh edhe mbi kombet.

46 Sepse i dëgjonin ata duke folur në gjuhë të ndryshme dhe duke lartësuar Perëndinë. Pastaj Pjetri u përgjigj,

47 "A mund të ndalohet që të pagëzohen me ujë këta, të cilët, ashtu si edhe ne, kanë marrë Frymën e Shenjtë?"

48 I urdhëroi që të pagëzoheshin në emër të Jezus Krishtit. Pastaj ata kërkuan prej tij që të qëndronte disa ditë.



Kapitulli 11

1 Apostujt dhe vëllezërit që ishin anembanë Judesë dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.

2 Kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë, po bënin fjalë me të,

3 duke thënë: "Ti ke hyrë te njerëz të parrethprerë dhe ke ngrënë bashkë me ta."

4 Por Pjetri filloi t’ua shpjegonte me radhë siç kishte ndodhur, duke thënë,

5 "Unë isha në qytetin e Jopës dhe, kur po lutesha, rashë në kllapi dhe pashë një vegim. Pashë diçka si një çarçaf të madh, që duke u ulur prej qiellit nga katër cepat, erdhi deri tek unë.

6 Kur po e vështroja me sytë mbërthyer në të, pashë kafshët katërkëmbëshe të dheut, bishat, zvarranikët dhe zogjtë e qiellit.

7 Dëgjova edhe një zë që më thoshte: ‘Ngrihu, Pjetër, ther dhe ha.’

8 Por unë i thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse kurrë nuk kam vënë në gojë ndonjë gjë të ndotur ose të papastër."

9 Por zëri u përgjigj për së dyti nga qielli: ‘Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndotura.’

10 Kjo ndodhi tri herë dhe gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.

11 Dhe ja, menjëherë tre burra, që ishin dërguar nga Cezareja tek unë, ia behën në shtëpinë ku isha.

12 Fryma më tha të shkoj me ta pa asnjë ngurrim. Bashkë me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu.

13 Ai na tregoi se si kishte parë engjëllin duke qëndruar në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: ‘Dërgo njeri në Jopë dhe thirr Simonin që i thonë Pjetër.

14 Ai do të të thotë fjalët që do të të shpëtojnë ty dhe gjithë shtëpinë tënde.’

15 Kur po flisja, mbi ta zbriti Fryma e Shenjtë, ashtu siç kishte zbritur edhe mbi ne në fillim.

16 M’u kujtuan atëherë fjalët e Zotit, që thoshte: ‘Vërtet Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë.’

17 Pra, nëse Perëndia u dha atyre të njëjtën dhuratë që na dha edhe neve, pasi besuam në Zotin Jezus Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?"

18 Kur i dëgjuan këto, u qetësuan dhe lëvduan Perëndinë, duke thënë: "Perëndia pra, u dha edhe kombeve pendimin që të gëzojnë jetën."

19 Ndërkaq ata që ishin shpërndarë nga përndjekja që i ndodhi Stefanit, shkuan deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke predikuar fjalën vetëm midis judenjve.

20 Por aty ishin disa burra nga Qiproja dhe nga Kirena, të cilët kur hynë në Antioki, filluan t’u flasin edhe grekëve, duke shpallur ungjillin e Zotit Jezus.

21 Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh njerëzish që besuan, u kthyen te Zoti.

22 Fjala për ta vajti në vesh të kishës në Jeruzalem; ata dërguan Barnabën [që të shkonte] deri në Antioki.

23 Kur arriti dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe filloi t’i nxitë të gjithë që t’i qëndronin besnikë Zotit me zemër të vendosur.

24 Ai ishte njeri i mirë dhe i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me besim. Zotit iu shtua një turmë e madhe.

25 Pastaj u largua për në Tars për të kërkuar Saulin.

26 Me ta gjetur, e solli në Antioki. Dhe ndodhi që gjatë tërë vitit ata u bashkuan me kishën dhe mësuan një turmë të madhe njerëzish; në Antioki dishepujt u quajtën për herë të parë të krishterë.

27 Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki.

28 Njëri prej tyre, që quhej Agab, u ngrit dhe parashikoi me anë të Frymës së Shenjtë se do të vinte një zi e madhe buke në mbarë botën; dhe kjo ndodhi gjatë mbretërimit të Klaudit.

29 Kështu dishepujt vendosën, secili sipas mundësisë, t’u dërgonin ndihmë vëllezërve që banonin në Jude.

30 Këtë e bënë duke ua dërguar ndihmat pleqve nëpërmjet Barnabës dhe Saulit.



Kapitulli 12

1 Në atë kohë mbreti Herod zuri disa veta, që i përkisnin kishës, dhe kishte ndër mend t’i keqtrajtonte.

2 Vrau me shpatë Jakobin, vëllanë e Gjonit,

3 dhe, kur e pa që kjo u pëlqente judenjve, shkoi më tej duke arrestuar edhe Pjetrin. Kjo ndodhi kur ishin ditët e Bukës së Ndorme.

4 Si e arrestoi, e futi në burg dhe ua dorëzoi katër skuadrave me nga katër ushtarë që ta ruanin. Kishte ndër mend që, pas Pashkëve, ta nxirrte përpara popullit për gjyq publik.

5 Pjetrin pra, po e mbanin në burg, por kisha i lutej pa pushim Perëndisë për të.

6 Po atë natë, kur Herodi do ta nxirrte para popullit, Pjetri ishte duke fjetur midis dy ushtarëve, i lidhur me dy vargonj dhe me rojat para portës, që ruanin burgun.

7 Dhe ja, një engjëll i Zotit erdhi aty pranë dhe një dritë shkëlqeu në qeli; i ra Pjetrit në ije dhe e ngriti, duke thënë: "Ngrihu shpejt!" Dhe vargonjtë i ranë nga duart.

8 Engjëlli i tha: "Vër brezin dhe lidh sandalet", dhe ai ashtu bëri. Pastaj i tha: "Hidh rrobën përsipër dhe më ndiq."

9 Ai doli nga burgu duke i shkuar pas, por nuk e dinte se ajo që po bënte engjëlli, po ndodhte vërtet; mendoi se po shihte një vegim.

10 Si kaluan rojën e parë dhe të dytën, arritën te porta prej hekuri që të nxjerr në qytet; kjo iu hap vetiu dhe ata dolën. Pasi kishin përshkuar një copë rrugë, engjëlli u largua menjëherë prej tij.

11 Kur Pjetri erdhi në vete, tha: "Tani po e kuptoj vërtet që Zoti paska dërguar engjëllin e Vet dhe më shpëtoi nga dora e Herodit dhe nga të gjitha ato që po priste populli i judenjve.

12 Pasi u mendua, shkoi te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, që e thërrisnin edhe Mark, ku ishin mbledhur shumë veta dhe luteshin.

13 Trokiti në portën e hyrjes dhe një shërbëtore, me emrin Rode, u afrua për të dëgjuar.

14 Ajo, me të njohur zërin e Pjetrit, nga gëzimi, nuk e hapi portën, por vrapoi brenda dhe njoftoi se Pjetri po qëndronte para portës.

15 Ata i thanë: "Paske luajtur mendsh!" Por ajo ngulte këmbë se ashtu ishte. Ata thoshin: "Duhet të jetë engjëlli i tij."

16 Por Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën portën, e panë dhe mbetën të mahnitur.

17 Ai u bëri shenjë me dorë që të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu dhe tha: "Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve." Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër.

18 Me të zbardhur dita, u bë një rrëmujë e madhe midis ushtarëve dhe pyesnin: "Ç’u bë Pjetri, vallë?"

19 Kur Herodi e kërkoi gjithandej dhe nuk e gjeti, i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që të ekzekutoheshin. Pastaj Herodi zbriti nga Judeja në Cezare dhe kaloi njëfarë kohe atje.

20 Ai ishte zemëruar me banorët e Tirit dhe të Sidonit. Këta të gjithë së bashku shkuan tek ai dhe, si e bënë për vete Blastin, kryeshërbëtorin e mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.

21 Ditën e caktuar Herodi veshi rrobën mbretërore, u ul në fron dhe filloi t’u mbante një fjalim.

22 Turma thërriste: "Ky është zë perëndie dhe jo njeriu!"

23 Papritur atë e goditi një engjëll i Zotit, sepse nuk i dha lavdi Perëndisë dhe dha shpirt duke përfunduar ushqim për krimbat.

24 Por fjala e Perëndisë vazhdonte të rritej e të përhapej.

25 Barnaba dhe Sauli, pasi e përmbushën misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalem, duke marrë me vete Gjonin, që e thërrisnin edhe Mark.



Kapitulli 13

1 Në kishën, që ishte në Antioki kishte profetë dhe mësues si: Barnaba, Simeoni, që e thërrisnin Niger, Luci nga Kirena, Manaini, që ishte rritur bashkë me tetrarkun Herod, dhe Sauli.

2 Ndërsa ata po shërbenin për Zotin dhe agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: "M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për punën që i kam thirrur."

3 Pastaj, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

4 Ata pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe prej andej lundruan për në Qipro.

5 Kur arritën në Salaminë, filluan të shpallin fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve; kishin edhe Gjonin si ndihmës.

6 Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafos, gjetën një magjistar, një profet të rremë jude, që e kishte emrin Barjezus,

7 i cili rrinte me prokonsullin, Sergj Palin, një burrë i zgjuar. Ky thirri Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë.

8 Por Elima, magjistari (sepse kështu përkthehet emri i tij), i kundërshtonte dhe kërkonte ta largonte prokonsullin nga besimi.

9 Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, ia kishte ngulur sytë

10 dhe i tha: "Ti, o bir i djallit, që je plot me çdo lloj mashtrimi dhe intrige, armik i çdo lloj drejtësie, kur do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëve të drejta të Zotit?

11 Ja pra, tani dora e Zotit ka rënë mbi ty dhe do të mbetesh i verbër e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe." Menjëherë mbi të ra mjegull dhe errësirë dhe vinte vërdallë e kërkonte njerëz që ta hiqnin për dore.

12 Atëherë prokonsulli, duke parë atë që ndodhi, besoi, sepse mbeti i mahnitur nga mësimi i Zotit.

13 Pali me shokët e vet u nisën me anije prej Pafosit dhe shkuan në Pergë të Pamfilisë. Gjoni i la ata dhe u kthye në Jeruzalem.

14 Ata, duke kaluar nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë dhe ditën e shtunë hynë në sinagogë dhe u ulën aty.

15 Pas leximit të Ligjit dhe të Profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t’u thoshte: "Vëllezër, po të keni ndonjë fjalë që t’i japë zemër popullit, thuajeni."

16 Pali u ngrit dhe, duke bërë shenjë me dorë, tha: "O burra të Izraelit dhe ju që i druheni Perëndisë, dëgjoni!

17 Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi etërit tanë; e lartësoi popullin gjatë qëndrimit në tokën e Egjiptit; i nxori prej andej me një krah të fuqishëm;

18 e duroi sjelljen e tyre në shkretëtirë për rreth dyzet vjet;

19 rrënoi shtatë kombe në tokën e Kanaanit dhe ua dha tokën e tyre si trashëgim.

20 Kjo vazhdoi për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj Ai u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.

21 Pastaj ata kërkuan mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, që mbretëroi për dyzet vjet.

22 Si e hoqi Saulin, Ai u dha Davidin si mbret të tyre, për të cilin Ai dëshmoi duke thënë: ‘Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës Sime, e që do të bëjë çdo gjë sipas vullnetit Tim.’

23 Nga pasardhësit e këtij njeriu, Perëndia, sipas premtimit, i solli Izraelit një Shpëtimtar, Jezusin.

24 Gjoni, përpara ardhjes së Tij, i kishte shpallur të gjithë popullit të Izraelit pagëzimin e pendimit.

25 Kur Gjoni po përfundonte punën e vet, tha: ‘Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam Ai. Por ja, po vjen pas meje një, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.’

26 Vëllezër, bij të fisit të Abrahamit, si edhe ata midis jush që i druhen Perëndisë, neve na u dërgua fjala e këtij shpëtimi.

27 Ata që banojnë në Jeruzalem si edhe krerët e tyre duke mos e njohur Jezusin, madje duke e dënuar Atë, bënë që të përmbushen fjalët e profetëve, që lexohen çdo të shtunë nëpër sinagogat.

28 Megjithëse nuk gjetën asnjë shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit që Ai të vritej.

29 Dhe kur i kryen të gjitha ato që ishin shkruar për Të, e ulën poshtë nga druri dhe e vunë në një varr.

30 Por Perëndia e ngjalli nga të vdekurit

31 dhe për shumë ditë Ai iu shfaq atyre që u ngjitën me Të nga Galileja në Jeruzalem, dhe që tani janë dëshmitarët e Tij para popullit.

32 Ne po ju shpallim lajmin e mirë: premtimin që Perëndia u bëri etërve tanë

33 na e ka përmbushur neve, fëmijëve [të tyre], duke ngjallur Jezusin, siç është shkruar edhe tek Psalmi i dytë: ‘Ti je Biri Im; Unë sot jam bërë Ati yt.’

34 Për atë që Ai e ngjalli prej të vdekurve për të mos u kalbur më kurrë, ka thënë kështu: ‘Do t’ju jap bekimet e shenjta dhe të sigurta që i janë premtuar Davidit.’

35 Prandaj edhe në një Psalm tjetër, Ai thotë: ‘Nuk do të lejosh që i Shenjti Yt të shohë kalbje.’

36 Sepse Davidi, pasi shërbeu në brezin e vet sipas vullnetit të Perëndisë, ra në gjumë dhe u bashkua me etërit e vet e u kalb,

37 por Ai, të cilin ngjalli Perëndia, nuk pa kalbje.

38 Ta dini pra, vëllezër, se nëpërmjet Tij ju shpallet falja e mëkateve dhe e të gjitha gjërave prej të cilave nuk mund të shfajësoheni me anë të ligjit të Moisiut.

39 Nëpërmjet Këtij shfajësohet kushdo që beson.

40 Kini kujdes pra, se mos ju ndodhë ajo që është thënë nga profetët.

41 ‘Hapni sytë, ju o përbuzës, mrekullohuni dhe zhdukuni; sepse Unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër të cilën nuk do ta besonit, po t’jua tregonte ndokush’."

42 Kur Pali dhe Barnaba po dilnin, populli u lutej që t’i flisnin për këto punë edhe të shtunën tjetër.

43 Pasi u shpërnda sinagoga, shumë nga judenjtë dhe prozelitët e përshpirtshëm shkuan pas Palit dhe Barnabës; këta u folën dhe i nxitën që të vazhdonin të vendosur në hirin e Perëndisë.

44 Të shtunën tjetër pothuaj i gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Zotit.

45 Kur judenjtë panë turmat, u mbushën me smirë dhe filluan të kundërshtojnë ato që kishte folur Pali, duke e fyer.

46 Pali e Barnaba folën ne guxim dhe thanë: "Ishte e nevojshme që më parë t’ju flitej juve fjala e Perëndisë; përderisa ju e hidhni poshtë, dhe nuk e gjykoni veten tuaj të denjë për jetën e amshuar, atëherë po u drejtohemi kombeve.

47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: ‘Të kam vënë si dritë për kombet, që të shpiesh shpëtimin në çdo skaj të botës."

48 Kur e dëgjuan këtë, kombet gëzoheshin e i jepnin lavdi fjalës së Zotit dhe të gjithë sa ishin caktuar për jetën e amshuar, përqafuan besimin.

49 Fjala e Zotit përhapej në tërë vendin.

50 Por judenjtë çuan peshë gratë e përshpirtshme të shtresës së lartë, si edhe parinë e qytetit, nxitën përndjekjen kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan nga kufijtë e tyre.

51 Por ata, në shenjë proteste ndaj tyre, shkundën pluhurin nga këmbët dhe shkuan në Ikoni.

52 Dishepujt ishin plot me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.



Kapitulli 14

1 Edhe në Ikoni ata hynë së bashku në sinagogën e judenjve dhe folën në atë mënyrë, saqë një turmë e madhe judenjsh dhe grekësh përqafuan besimin.

2 Por judenjtë, që nuk pranonin të besonin, i trazuan dhe i acaruan shpirtrat e kombeve kundër vëllezërve.

3 Megjithatë ata kaluan një kohë të gjatë duke folur me guxim për Zotin, i cili dëshmonte për fjalën e hirit të Tij, duke lejuar që të bëheshin shenja dhe mrekulli me anë të duarve të tyre.

4 Por gjindja e qytetit u nda; disa ishin me judenjtë dhe disa të tjerë ishin me apostujt.

5 Kur kombet dhe judenjtë bashkë me krerët e tyre u orvatën t’i keqtrajtojnë e t’i vrasin me gurë,

6 atëherë ata, me ta marrë vesh, ikën në qytetet e Likaonisë, në Listër e në Derbë, si dhe në zonën përreth;

7 atje vazhduan të predikonin ungjillin.

8 Në Listër rrinte ulur një njeri që e kishin lënë këmbët, i çalë që në bark të nënës, i cili nuk kishte ecur kurrë.

9 Ky dëgjonte Palin që po fliste. Pali ia kishte ngulur sytë dhe, kur pa që ai kishte besim për t’u shëruar,

10 tha me zë të lartë: "Çohu drejt në këmbë." Ai u çua brof më këmbë dhe filloi të ecë.

11 Kur turmat panë atë që bëri Pali, thirrën me zë të lartë në likaonishte: "Perënditë janë bërë si njerëz dhe kanë zbritur te ne."

12 Barnabën e quanin Zeus dhe Palin Merkur, meqenëse ai e merrte fjalën.

13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte para qytetit, solli dema dhe kurora te porta, sepse donte t’u ofronte flijime së bashku me turmat.

14 Por kur e dëgjuan apostujt, Barnaba dhe Pali, shqyen rrobat e veta dhe u turrën drejt turmës, duke thirrur

15 dhe duke thënë: "Burra, përse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz njësoj si ju dhe po ju shpallim ungjillin që të hiqni dorë nga këto gjëra të kota e të ktheheni te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është ndër to.

16 Në brezat e kaluar Ai i lejoi të gjitha kombet të ndiqnin rrugët e tyre.

17 Megjithatë nuk e la veten e Vet pa dëshmi. Ai bëri mirë, duke sjellë shira dhe stinë të frytshme nga qielli, duke ju dhënë ushqim dhe duke ju mbushur zemrat me gëzim."

18 Edhe pse i thoshin këto gjëra, mezi i mbanin turmat që të mos u bënin flijim.

19 Por erdhën disa judenj nga Antiokia dhe Ikonia dhe, pasi i bënë për vete turmat, e qëlluan Palin me gurë dhe e hoqën zvarrë jashtë qytetit, duke pandehur se kishte vdekur.

20 Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Ditën tjetër doli e shkoi bashkë me Barnabën në Derbë.

21 Si predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikoni dhe në Antioki,

22 duke forcuar shpirtrat e dishepujve, duke u dhënë zemër që t’i mbaheshin besimit dhe duke thënë: "Duhet të kalojmë shumë mundime, që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë."

23 Pali dhe Barnaba caktuan pleqtë për çdo kishë dhe, me lutje e me agjërime, i lanë ata në dorë të Zotit, në të cilin kishin besuar.

24 Si kaluan nëpër Pisidi, arritën në Pamfili.

25 Pasi predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali

26 dhe prej andej lundruan për në Antioki, atje ku i ishin besuar hirit të Perëndisë për veprën që kishin kryer.

27 Pasi arritën dhe mblodhën kishën, filluan të tregonin gjithë sa kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre dhe se Ai u kishte hapur kombeve derën e besimit.

28 Dhe qëndruan me dishepujt për një kohë të gjatë.



Kapitulli 15

1 Disa që zbritën nga Judeja, filluan t’u mësonin vëllezërve: "Po të mos bëni rrethprerjen, sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni."

2 Kur midis tyre dhe Palit e Barnabës lindi një mosmarrëveshje dhe një debat i ashpër, atëherë vëllezërit vendosën që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë prej tyre, të ngjiteshin në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për të zgjidhur këtë çështje.

3 Ata, pra, të shoqëruar një copë rrugë nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke përshkruar me hollësi se si kombet kishin përqafuar besimin, duke u sjellë gëzim të madh të gjithë vëllezërve.

4 Kur arritën në Jeruzalem, ata i priti kisha, apostujt e pleqtë dhe u treguan këtyre gjithë sa kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre.

5 Por disa, nga sekti i farizenjve, që kishin përqafuar besimin, u ngritën dhe thanë: "Ata duhen të bëjnë rrethprerjen dhe t’u kërkohet që ta ruajnë Ligjin e Moisiut."

6 Apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë punë.

7 Pas një debati të madh, Pjetri u ngrit dhe u tha: "Vëllezër, ju e dini se Perëndia, që në kohët e para, zgjodhi midis jush, që kombet të dëgjojnë nëpërmjet gojës sime fjalën e ungjillit dhe të besojnë.

8 Perëndia që njeh çdo zemër, u dha dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, siç bëri edhe me ne.

9 Ai nuk bënte asnjë dallim midis nesh dhe tyre, duke u pastruar zemrat me anë të besimit.

10 Pra, tani, përse e vini në provë Perëndinë, duke u hedhur dishepujve në qafë një zgjedhë, të cilën as etërit tanë dhe as ne nuk ishim në gjendje ta mbanim?

11 Por ne besojmë, se jemi të shpëtuar me anë të hirit të Zotit Jezus, po ashtu si dhe ata."

12 Të gjithë heshtën dhe dëgjonin Barnabën dhe Palin, ndërsa ata tregonin ç’shenja e ç’mrekulli kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre ndër kombet.

13 Kur heshtën, Jakobi u përgjigj, duke thënë: "Vëllezër, më dëgjoni!

14 Simoni ka treguar se si Perëndia në fillim i vizitoi kombet për të marrë prej tyre një popull për emrin e Vet.

15 Me këtë pajtohen fjalët e profetëve, siç është shkruar,

16 ‘Pas këtyre gjërave do të kthehem dhe do të rindërtoj tendën e Davidit, që është rrëzuar. Do t’i rindërtoj rrënojat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,

17 që pjesa tjetër e njerëzve të kërkojnë Zotin si edhe të gjitha kombet, që thirren me emrin Tim’; kështu thotë Zoti që i bën këto gjëra

18 të njohura prej kohësh.

19 Prandaj unë e gjykoj me vend që të mos i shqetësojmë ata njerëz të kombeve që kthehen te Perëndia,

20 por t’u shkruajmë që të heqin dorë nga gjërat e ndotura nga idhujt, nga imoraliteti, nga kafshët e mbytura dhe nga gjaku.

21 Sepse Moisiun e predikojnë në çdo qytet, që nga brezat e hershëm, dhe e lexojnë çdo të shtunë nëpër sinagoga."

22 Atëherë apostujve dhe pleqve, bashkë me tërë kishën, iu duk e udhës që të zgjidhnin njerëz midis tyre për t’i dërguar në Antioki me Palin dhe Barnabën. Ata zgjodhën Judën që quhej Barsaba dhe Silën, njerëz që ishin prijës ndër vëllezërit.

23 Dërguan këtë letër nëpërmjet tyre: "Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit tuaj, përshëndesin vëllezërit që janë prej kombeve në Antioki, Siri dhe Cilici.

24 Meqenëse dëgjuam që disa, që kanë dalë nga gjiri ynë, por që nuk ishin të autorizuar prej nesh, ju kanë shqetësuar me fjalë, duke ju trazuar shpirtrat,

25 na u duk me vend, pasi ramë në një mendje, që të zgjedhim njerëz dhe t’jua dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnabën dhe Palin,

26 njerëz që kanë rrezikuar jetën e vet për emrin e Zotit tonë Jezus Krisht.

27 Prandaj dërguam Judën dhe Silën, të cilët do t’jua thonë me gojën e tyre po ato gjëra.

28 Sepse u duk e udhës për Frymën e Shenjtë dhe për ne që të mos ju ngarkojmë me asnjë barrë më të madhe veç këtyre gjërave të domosdoshme:

29 të hiqni dorë nga ushqimi i flijuar për idhujt, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga imoraliteti. Do të bëni mirë ta ruani veten tuaj nga këto. Qofshi mirë."

30 Kështu, si u përcollën, ata zbritën në Antioki dhe me të mbledhur njerëzit, u dorëzuan letrën.

31 Njerëzit e lexuan dhe u gëzuan, sepse u jepte zemër.

32 Juda dhe Sila, duke qenë edhe ata profetë, u folën shumë vëllezërve duke u dhënë zemër dhe forcë.

33 Si qëndruan njëfarë kohe, vëllezërit i përcollën me bekime paqeje për t’u kthyer tek ata që i dërguan.

35 Por Pali dhe Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke predikuar fjalën e Zotit edhe me shumë njerëz të tjerë.

36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: "Të kthehemi e të vizitojmë vëllezërit në çdo qytet ku kemi predikuar fjalën e Zotit, të shohim si janë."

37 Barnaba dëshironte të merrte me vete edhe Gjonin, që e thërrisnin Mark.

38 Por Pali mendonte që më mirë të mos e merrnin me vete këtë, që i kishte braktisur në Pamfili dhe nuk kishte vazhduar punën me ta.

39 Midis tyre lindi një mosmarrëveshje aq e ashpër, saqë u ndanë nga njëri-tjetri. Barnaba mori me vete Markun dhe u nis me lundër për në Qipro.

40 Pali zgjodhi Silën dhe, pasi vëllezërit ia besuan hirit të Zotit, u largua,

41 dhe vazhdoi rrugën nëpër Siri dhe Cilici, duke forcuar kishat.



Kapitulli 16

1 Ai arriti në Derbë dhe në Listër, ku ishte një dishepull me emrin Timote, i biri i një gruaje besimtare nga Judeja e me babanë grek.

2 Vëllezërit në Listër dhe Ikoni flisnin mirë për të.

3 Pali donte ta merrte me vete dhe, si e mori, e rrethpreu për shkak të judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin që i ati ishte grek.

4 Ndërsa kalonin nga një qytet në tjetrin, u dorëzonin njerëzve vendimet që kishin marrë apostujt dhe pleqtë në Jeruzalem, dhe i porositnin t’u bindeshin atyre.

5 Kështu, kishat forcoheshin në besim dhe shtoheshin përditë në numër.

6 Atëherë kaluan nëpër krahinën e Frigjisë dhe të Galacisë, ku Fryma e Shenjtë nuk i lejoi të shpallnin fjalën në Azi.

7 Kur arritën në Mizi, deshën të shkonin në Bitini, por Fryma e Jezusit nuk i lejoi.

8 Kaluan nëpër Mizi dhe zbritën në Troadë.

9 Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim: një maqedonas po qëndronte dhe e luste duke i thënë: "Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo."

10 Kur e pa vegimin, ne menjëherë u bëmë gati të shkojmë në Maqedoni, të bindur që Perëndia na kishte thirrur për t’u shpallur atyre ungjillin.

11 Pasi u nisëm me anije nga Troada, lundruam drejt për në Samotrakë dhe të nesërmen për në Neapolis.

12 Prej andej shkuam në Filipi, koloni romake dhe qyteti i parë i asaj krahine të Maqedonisë, ku qëndruam disa ditë.

13 Ditën e shtunë dolëm jashtë qytetit anës lumit, duke menduar se ky ishte vend për lutje; u ulëm e filluam t’u flasim grave që ishin mbledhur.

14 Një grua me emrin Lidia, nga qyteti i Tiatirës, që shiste pëlhura të purpurta, adhuruese e Perëndisë, po dëgjonte. Asaj ia hapi zemrën Zoti, që t’u vinte veshin atyre që fliste Pali.

15 Kur u pagëzua ajo dhe shtëpia e saj, na u lut, duke thënë: "Po të më gjykoni si besnike ndaj Zotit, ejani dhe qëndroni në shtëpinë time." Dhe na bëri të pranojmë.

16 Njëherë gjatë rrugës për në vendin e lutjes, na takoi një shërbëtore që kishte një frymë fallxhori, e cila u sillte fitim të madh zotërinjve të saj, duke kallëzuar fatin.

17 Ajo, duke ndjekur Palin dhe ne, qante dhe thoshte: "Këta njerëz janë shërbëtorë të Më të Lartit Perëndi dhe po ju shpallin rrugën e shpëtimit."

18 Ajo vazhdoi ta bënte këtë për shumë ditë. Por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: "Të urdhëroj në emër të Jezus Krishtit të dalësh prej saj!" Dhe fryma doli në çast.

19 Zotërinjtë e saj, kur e panë që u iku shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën zvarrë te sheshi i tregut para autoriteteve.

20 I sollën përpara pretorëve dhe thanë: "Këta njerëz, që janë judenj, nxitin trazira në qytetin tonë

21 dhe përhapin zakone që ne, si romakë që jemi, e kemi të ndaluar t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë."

22 Turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre. Pretorët ua shqyen rrobat dhe dhanë urdhër që t’i rrihnin me shkopinj.

23 Si i rrahën paq me shkopinj, i flakën në burg dhe e porositën rojën e burgut që t’i ruante mirë.

24 Roja, me të marrë një porosi të tillë, i hodhi në qelinë e brendshme dhe ua shtrëngoi këmbët në trung.

25 Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe po i këndonin himne Perëndisë dhe të burgosurit e tjerë i dëgjonin.

26 Papritur ra një tërmet i madh, saqë themelet e burgut u tundën; të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu liruan prangat.

27 Roja e burgut u zgjua, dhe, kur pa që dyert ishin të hapura, nxori shpatën dhe ishte gati të vriste veten, duke menduar se kishin ikur të burgosurit.

28 Por Pali thirri me zë të lartë: "Mos i bëj keq vetes, sepse të gjithë ne jemi këtu."

29 Atëherë ai, si kërkoi diçka për të bërë dritë, u turr brenda dhe, duke u dridhur i tëri, u ra ndër këmbë Palit dhe Silës.

30 Pasi i nxori jashtë, tha: "Zotërinj, çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?"

31 Ata thanë: "Beso në Zotin Jezus dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote."

32 I folën fjalën e Zotit atij dhe të gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33 Ai i mori me vete që në atë orë të natës, u lau plagët dhe menjëherë ai dhe gjithë njerëzit e tij u pagëzuan.

34 Me t’i sjellë në shtëpi, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë njerëzit e vet, sepse kishte besuar Perëndinë.

35 Kur zbardhi dita, pretorët dërguan mbajtësit e rendit dhe u thanë: "Lirojini ata njerëz!"

36 Roja i burgut e njoftoi Palin me këto fjalë: "Pretorët kanë urdhëruar që ju të liroheni. Tani, pra, mund të dilni. Shkoni në paqe."

37 Por Pali u tha: "Si na rrahën në sy të botës pa gjyq, megjithëse jemi qytetarë romakë, na flakën në burg dhe tani po na nxjerrin fshehurazi? Jo kurrsesi! Le të vijnë vetë e të na nxjerrin jashtë."

38 Ruajtësit e rendit ua çuan këto fjalë pretorëve. Këta u frikësuan kur dëgjuan që ata ishin romakë.

39 Erdhën e iu lutën dhe, kur i nxorën jashtë, kërkuan që të largoheshin nga qyteti.

40 Kur dolën nga burgu, ata hynë në shtëpinë e Lidias, ku takuan vëllezërit dhe u dhanë zemër. Pastaj u larguan.



Kapitulli 17

1 Duke ndjekur rrugën që kalon nëpër Amfipoli dhe Apoloni, arritën në Selanik, ku ishte një sinagogë judenjsh.

2 Pali, siç e kishte zakon, hyri tek ata dhe për tri të shtuna me radhë diskutoi me ta çështje nga Shkrimet,

3 duke u shpjeguar dhe duke u dëshmuar se Krishti duhej të vuante dhe të ngjallej përsëri prej të vdekurve. "Ky Jezus", u tha: "që po ju shpall, është Krishti."

4 Disa prej tyre u bindën dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si edhe me një numër të mirë grekësh, bashkë me mjaft gra të fisme.

5 Por judenjtë, të shtyrë nga smira, morën me vete disa njerëz të ligj nga rrugët e tregut dhe, si mblodhën një turmë, filluan të nxitin trazirë në qytet. U turrën drejt shtëpisë së Jasonit dhe kërkonin që ata të dilnin para turmës.

6 Kur nuk i gjetën, morën zvarrë Jasonin e disa vëllezër përpara parisë së qytetit dhe bërtisnin: "Këta njerëz, që e bënë botën rrëmujë, kanë ardhur tani këtu.

7 Këta i priti Jasoni në shtëpinë e vet; të gjithë këta veprojnë në kundërshtim me dekretet e Cezarit dhe thonë se paska një mbret tjetër, Jezusi."

8 Ata e turbulluan turmën dhe parinë e qytetit, që i dëgjuan këto gjëra.

9 Pasi u siguruan nga Jasoni dhe të tjerët, atëherë i liruan.

10 Vëllezërit nisën menjëherë, gjatë natës, Palin dhe Silën për në Verija; këta, me të arritur, shkuan në sinagogën e judenjve.

11 Këta të Verias ishin më fisnikë se ata në Selanik, sepse e morën mesazhin pa ngurruar, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin vërtet ashtu.

12 Shumë prej tyre, pra, besuan, si edhe një numër jo i vogël burrash dhe grash të fisme greke.

13 Por, kur judenjtë nga Selaniku morën vesh se Pali e kishte shpallur fjalën e Perëndisë edhe në Verija, shkuan edhe atje, duke nxitur dhe duke trazuar turmat.

14 Atëherë vëllezërit nisën menjëherë Palin në drejtim të detit, ndërsa Sila dhe Timoteu qëndruan atje.

15 Ata që shoqëronin Palin, e çuan deri në Athinë dhe u larguan, pasi morën urdhër që Sila dhe Timoteu duhej të shkonin sa më parë tek ai.

16 Ndërsa Pali i priste ata në Athinë, ziente përbrenda kur shihte qytetin të mbushur plot me idhuj.

17 Kështu, ai diskutonte çdo ditë në sinagogë me judenjtë dhe me njerëzit e përshpirtshëm, si edhe në treg me ata që ndodheshin aty.

18 Edhe disa nga filozofët epikurianë dhe stoikë hynin në debat me të dhe disa thoshin: "Çfarë kërkon të thotë ky llafazan?" Dhe të tjerë: "Ai duket se është zëdhënës i perëndive të huaj." Sepse ai predikonte Jezusin dhe ngjalljen.

19 E morën dhe e çuan në Areopag, ku i thanë: "A mund ta marrim vesh ç’është kjo doktrinë e re që u mëson njerëzve?

20 Sepse po na sjell në veshët tanë disa gjëra të çuditshme; prandaj duam të dimë ç’duan të thonë këto gjëra?"

21 (Të gjithë athinasit dhe të huajt që banonin atje, e kalonin kohën pa bërë gjë tjetër veç duke treguar a dëgjuar ndonjë gjë të re.)

22 Pali zuri vend në mes të Areopagut dhe tha: "Burra athinas! E shoh që jeni shumë fetarë në gjithçka.

23 Sepse kur kaloja dhe i vështroja me kujdes shenjtëroret tuaja, gjeta gjithashtu një altar mbi të cilin ishte shkruar: ‘NJË PERËNDIE TË PANJOHUR’. Atë pra, që ju e adhuroni pa e njohur, po jua shpall unë.

24 Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, duke qenë Zoti i qiellit dhe i dheut, nuk banon në tempuj të ndërtuar nga duar njerëzish.

25 Këtij nuk i shërbehet me duar njerëzish, sikur të kishte nevojë për gjëkafshë, meqë Ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka tjetër.

26 Ai bëri prej një njeriu të gjitha kombet e njerëzimit, që të banonin mbi gjithë faqen e dheut, duke i caktuar secilit kohët dhe kufijtë e saktë të banimit të tyre,

27 që të kërkonin Perëndinë, e ndoshta duke shtrirë duart për ta prekur, megjithëse nuk është larg nga secili prej nesh,

28 sepse në Të jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë, siç kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi nga fara e Tij."

29 Pra, duke qenë të një fare me Perëndinë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia ngjason me arin, me argjendin apo me gurin, vepër e latuar arti, dhe sajim i imagjinatës së njeriut.

30 Prandaj, Perëndia, duke i kapërcyer kohët e padijes, po u shpall njerëzve që të gjithë, kudo që ndodhen, të pendohen.

31 Sepse Ai ka vendosur një ditë në të cilën do të gjykojë botën me drejtësi me anë të një Njeriu që Ai e ka caktuar. Ai u dha provë të gjithëve, duke e ngjallur Atë prej të vdekurve.

32 Kur dëgjuan për ngjalljen prej të vdekurve, disa e përqeshnin, por të tjerë thanë: "Duam të dëgjojmë të na flasësh për këtë përsëri."

33 Kështu Pali u largua prej tyre.

34 Por disa njerëz u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionisi, anëtar i Areopagut, dhe një grua me emrin Damaridë si edhe të tjerë me ta.



Kapitulli 18

1 Pas këtyre ngjarjeve Pali u largua nga Athina dhe shkoi në Korint.

2 Aty gjeti një jude me emrin Akuila, lindur në Pont, që kishte ardhur rishtas nga Italia me të shoqen Priskilën, sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë judenjtë të largoheshin nga Roma. Pali shkoi tek ata.

3 Meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, tendabërës, ai qëndroi me ta dhe filloi të punonte.

4 Çdo të shtunë diskutonte në sinagogë dhe përpiqej t’i bindte judenjtë dhe grekët.

5 Por kur Sila dhe Timoteu erdhën nga Maqedonia, Pali i ishte përkushtuar i tëri fjalës, duke u dëshmuar judenjve se Jezusi është Krishti.

6 Meqë ata e kundërshtonin dhe blasfemonin, ai shkundi rrobat dhe u tha: "Gjaku juaj rëntë mbi kokën tuaj! Unë jam i pastër. Që tani e tutje do të shkoj te kombet."

7 Me t’u laguar prej andej, shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Titus Justi, një adhurues i Perëndisë, që e kishte shtëpinë ngjitur me sinagogën.

8 Krispi, kreu i sinagogës, bashkë me tërë shtëpinë e vet besuan në Zotin; shumë prej korintasve, pasi e dëgjuan, filluan të besojnë dhe të pagëzohen.

9 Zoti i tha Palit natën në një vegim: "Mos ki frikë, por fol dhe mos hesht,

10 sepse Unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty për të të bërë keq, sepse kam shumë njerëz në këtë qytet."

11 Atje qëndroi një vit e gjashtë muaj, duke u mësuar atyre fjalën e Perëndisë.

12 Kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, të gjithë judenjtë, pa përjashtim, u ngritën kundër Palit dhe e çuan para gjyqit,

13 duke thënë: "Ky, në kundërshtim me ligjin, i bind njerëzit që të adhurojnë Perëndinë."

14 Por kur Pali ishte gati për të folur, Galioni u tha judenjve: "Po të ishte ndonjë padrejtësi apo keqbërje, o judenj, do t’ju dëgjoja me durim, siç është e arsyeshme,

15 por po të jetë çështje fjalësh apo emrash ose që lidhet me ligjin tuaj, shikojeni ju vetë këtë punë; unë nuk kam ndër mend të jem gjykatës për këto gjëra."

16 Dhe i largoi nga gjyqi.

17 Ata të gjithë kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe filluan ta rrahin përpara gjyqit. Galioni nuk shqetësohej fare për asnjë nga këto punë.

18 Pali, pasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u tha lamtumirë vëllezërve dhe mori udhën me anije për në Siri. Me të ishin Priskila dhe Akuila. Qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte lidhur një kusht.

19 Arritën në Efes, ku Pali la Priskilën dhe Akuilën. Ai vetë hyri në sinagogë dhe nisi një diskutim me judenjtë.

20 Kur i kërkuan që të qëndronte për një kohë më të gjatë, ai nuk pranoi,

21 por u përshëndet me ta, duke thënë: "Do të kthehem përsëri te ju, në dashtë Perëndia", dhe u nis me anije nga Efesi.

22 Si arriti në Cezare, u ngjit në Jeruzalem për të përshendetur kishën, dhe pastaj zbriti në Antioki.

23 Si kaloi njëfarë kohe atje, u largua dhe përshkoi me radhë vendin e Galacisë dhe të Frigjisë, duke u dhënë forcë të gjithë dishepujve.

24 Ndërkohë një jude me emrin Apolon, i lindur në Aleksandri, erdhi në Efes. Ai ishte njeri i gojës dhe i njihte fort mirë Shkrimet.

25 Kishte marrë mësime në rrugën e Zotit dhe fliste plot zell e u mësonte njerëzve me saktësi gjërat për Jezusin, megjithëse njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.

26 Ai filloi të fliste hapur në sinagogë. Por kur e dëgjuan Priskila dhe Akuila, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë rrugën e Perëndisë.

27 Kur ai deshi të kalonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Si arriti, ai u dha ndihmë të madhe atyre që kishin besuar nëpërmjet hirit.

28 Sepse ai i kundërshtonte me forcë judenjtë, duke treguar nëpërmjet Shkrimeve se Jezusi është Krishti.



Kapitulli 19

1 Dhe ndodhi që ndërsa Apoloni ishte në Korint, Pali përshkoi krahinat e sipërme dhe erdhi në Efes, ku gjeti disa dishepuj

2 dhe u tha: "A e morët Frymën e Shenjtë kur besuat?" Ata i thanë: "As që kemi dëgjuar që paska Frymë të Shenjtë."

3 Ai tha: "Me çfarë, pra, u pagëzuat?" Ata i thanë: "Me pagëzimin e Gjonit."

4 Pali tha: "Pagëzimi i Gjonit ishte pagëzim pendimi. Ai i tha popullit që të besonin në Atë që po vinte pas tij, domethënë në Jezusin."

5 Me ta dëgjuar, ata u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

6 Kur Pali vuri duart mbi ta, tek ata erdhi Fryma e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera dhe të profetizonin.

7 Ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.

8 Pali hyri në sinagogë dhe vazhdoi të fliste me guxim për tre muaj, duke diskutuar në mënyrë bindëse rreth mbretërisë së Perëndisë.

9 Meqë disa po tregoheshin kokëfortë dhe nuk bindeshin, duke folur keq para njerëzve për udhën e Perëndisë, ai u largua prej tyre dhe i mori më vete dishepujt, duke zhvilluar çdo ditë diskutime në shkollën e njëfarë Tirani.

10 Kjo vazhdoi për dy vjet, kështu që të gjithë ata që banonin në Azi, judenj dhe grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit.

11 Perëndia bënte mrekullira të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,

12 saqë mbi të sëmurët sillnin shami e përparëse që i kishte prekur trupi i tij dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymët e liga dilnin jashtë.

13 Disa judenj yshtës dhe endacakë u orvatën të thërrisnin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymët e liga, duke thënë: "Ju përgjërohem për atë Jezus, që predikon Pali."

14 Këtë e bënin shtatë djemtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude.

15 Një ditë fryma e ligë u përgjigj dhe u tha: "E njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju kush jeni?"

16 Njeriu që kishte frymë të ligë, u hodh mbi ta, i vuri të gjithë përfund dhe i mundi, saqë ata ia mbathën prej asaj shtëpie lakuriq e të plagosur.

17 Kur e morën vesh këtë judenjtë dhe grekët që banonin në Efes, mbi të gjithë ata pllakosi frika dhe emri i Zotit Jezus ngrihej lart e më lart.

18 Shumë nga ata që kishin përqafuar besimin, tani vinin, rrëfeheshin dhe tregonin hapur ato që kishin bërë.

19 Shumë prej atyre që kishin ushtruar magjinë, i sillnin librat dhe i digjnin para të gjithëve; kur e llogaritën vlerën e tyre, doli se ishte pesëdhjetë mijë drama argjendi.

20 Kështu fjala e Zotit rritej fuqishëm dhe forcohej.

21 Pas këtyre që ndodhën, Pali vendosi, që pasi të kalonte nëpër Maqedoni dhe Akai, të shkonte në Jeruzalem, dhe thoshte: "Pasi të kem arritur atje, më duhet të shoh edhe Romën."

22 Dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ai qëndroi për njëfarë kohe në Azi.

23 Në atë kohë u bë një trazirë e madhe në lidhje me Udhën e Perëndisë.

24 Sepse një argjendar, me emrin Dhimitër, që bënte tempuj të Artemidës në argjend, u sillte zejtarëve fitim jo të vogël.

25 Ai i mblodhi ata si dhe punëtorët e së njëjtës mjeshtëri dhe u tha: "Burra, ju e dini se nga kjo mjeshtëri vjen fitimi ynë.

26 Siç e shikoni dhe e dëgjoni, ky njeri, Pali, i bindi dhe u ktheu mendjen një numri të madh njerëzish, jo vetëm në Efes, por gati në gjithë Azinë, duke thënë që nuk janë perëndi ato që bëhen nga duar njerëzish.

27 Ka rrezik që jo vetëm kjo mjeshtëri jona të bjerë poshtë, por edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemidë të quhet si i pavlerë dhe t’i zvogëlohet madhështia asaj që tërë Azia dhe bota mbarë e adhurojnë."

28 Kur dëgjuan këto, atyre u hipi zemërimi dhe filluan të bërtasin: "E Madhe është Artemida e efesianëve!"

29 Mbarë qytetin e pushtoi rrëmuja dhe të gjithë me një mendje, si rrëmbyen Gain dhe Aristarkun maqedonas, bashkudhëtarin e Palit, u turrën njësh drejt teatrit.

30 Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë.

31 Edhe disa prej parisë së krahinës së Azisë, që ishin miq me të, dërguan njeri tek ai dhe iu lutën që të mos dilte në teatër.

32 Njerëzit e mbledhur ishin në rrëmujë, disa thërrisnin një gjë, të tjerë një gjë tjetër, dhe shumica nuk dinin përse ishin mbledhur.

33 Nxorën prej turmës Aleksandrin, meqë judenjtë e kishin vënë përpara; Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u bë gati të bënte mbrojtjen e vet para turmës.

34 Por kur e morën vesh që ai ishte jude, të gjithë thirrën me një zë për gati dy orë: "E Madhe është Artemida e efesianëve!"

35 Shkruesi i qytetit, si e qetësoi turmën, tha: "Burra efesianë, a ka njeri në botë që nuk e di se qyteti i efesianëve është ruajtësi i tempullit të Artemidës së madhe dhe i shëmbëlltyrës së saj të rënë nga qielli?

36 Meqë këto janë fakte të pamohueshme, ju duhet të rrini urtë e të mos bëni asgjë të rrëmbyer.

37 Sepse këta njerëz, që keni sjellë, nuk janë as plaçkitës tempujsh as nuk kanë sharë perëndeshën tonë.

38 Pra, nëse Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë ndonjë ankesë kundër dikujt, gjykatat punojnë dhe prokonsujt atje janë; le të hedhin në gjyq njëri-tjetrin.

39 Por, nëse kërkoni ndonjë gjë më tepër, ajo do të vendoset në kuvend sipas ligjit.

40 Sepse ka rrezik të na padisin si kryengritës për ngjarjen e sotme dhe, duke mos pasur asnjë shkak për të, nuk do të jemi në gjendje të shfajësohemi për këtë trazirë." Dhe si tha këto, e shpërndau kuvendin.



Kapitulli 20

1 Pasi u qetësua trazira, Pali thirri dishepujt dhe, si u dha zemër e u përshëndosh me ta, mori rrugën për në Maqedoni.

2 Kaloi nëpër ato krahina, duke u dhënë zemër njerëzve me fjalën e vet, dhe më në fund arriti në Greqi,

3 ku qëndroi tre muaj. Kur ishte gati për të lundruar për në Siri, judenjtë organizuan një komplot kundër tij dhe për këtë arsye ai vendosi të kthehej nga Maqedonia.

4 E shoqëronin Sopatri nga Verija, i biri i Pirros, Aristarku dhe Sekundi nga Selaniku, Gai nga Derba bashkë me Timoteun dhe Tikiku e Trofimi nga Azia.

5 Por këta kishin shkuar para nesh dhe po na prisnin në Troadë.

6 Ne u nisëm me lundër nga Filipi pas ditëve të Bukës së Ndorme dhe pas pesë ditësh arritëm tek ata në Troadë, ku qëndruam shtatë ditë.

7 Ditën e parë të javës, kur ishim mbledhur së bashku për të thyer bukën, Pali filloi të bisedonte me ta dhe, meqë kishte ndër mend të nisej të nesërmen, e zgjati bisedën deri në mesnatë.

8 Në dhomën e sipërme, ku ishim mbledhur, kishte një numër të madh llambash.

9 Ndërsa Pali ligjëronte gjerë e gjatë, një djalosh me emrin Eutik ishte ulur në parvazin e dritares dhe kishte rënë në gjumë të thellë. Kur e kishte kllapitur gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.

10 Por Pali zbriti poshtë, i ra përsipër dhe si e përqafoi, tha: "Mos u shqetësoni, sepse shpirti nuk i ka dalë."

11 Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri. Si bisedoi gjatë deri në të gdhirë, u largua.

12 Djalin e sollën të gjallë dhe u ngushëlluan shumë.

13 Por ne vazhduam udhën me anije dhe u drejtuam për në Asos, ku do të merrnim me vete prej andej Palin. Kështu kishte porositur ai, meqë kishte ndër mend ta bënte rrugën më këmbë.

14 Kur u takua me ne në Asos, e morëm me vete dhe shkuam në Mitilenë.

15 Vazhduam lundrimin prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Kiosit; ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen në Milet.

16 Pali kishte vendosur të kalonte me anije nga Efesi, që të mos humbte kohë në Azi, sepse ai nxitonte që të arrinte në Jeruzalem, po të ishte e mundur, ditën e Rrëshajëve.

17 Nga Mileti ai dërgoi dikë në Efes dhe thirri pleqtë e kishës.

18 Kur arritën tek ai, u tha: "Ju e dini se si kam jetuar gjatë gjithë kohës që isha me ju, që në ditën e parë që shkela në Azi,

19 duke i shërbyer Zotit me shumë përvujtëri dhe me lot, megjithëse u vura në prova të vështira nga komplotet e judenjve.

20 Ju e dini që jua thashë pa ngurruar të gjitha ato që ishin të dobishme dhe ju mësova hapur shtëpi më shtëpi,

21 duke u dëshmuar si judenjve ashtu edhe grekëve pendimin te Perëndia dhe besimin në Zotin tonë Jezus.

22 Dhe tani ja, unë, i shtyrë nga fryma, po shkoj në Jeruzalem, pa ditur çfarë do të më ndodhë atje.

23 Di vetëm që në çdo qytet Fryma e Shenjtë më paralajmëron, duke thënë se më presin vargonj dhe mundime.

24 Por nuk shqetësohem për jetën time, si diçka të shtrenjtë për mua, mjaft që të mbaroj garën time dhe të përmbush detyrën që mora nga Zoti Jezus - të jap dëshmi për ungjillin e hirit të Perëndisë.

25 Dhe tani, ja, unë e di që askush nga ju, midis të cilëve kam predikuar mbretërinë, nuk do ta shohë më fytyrën time.

26 Prandaj, po ju dëshmoj sot se jam i pafajshëm për gjakun e të gjithë njerëzve,

27 sepse jua thashë pa ngurruar të gjithë vullnetin e Perëndisë.

28 Kini kujdes pra, për veten tuaj dhe për gjithë grigjën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë kujdestarë, që të jini barinj të kishës së Perëndisë, të cilën Ai e fitoi me gjakun e Vet.

29 Unë e di se pas largimit tim, ujq të egërsuar do të vijnë në mes jush, dhe nuk do ta kursejnë grigjën.

30 Edhe prej jush vetë do të dalin njerëz, që do të flasin prapësira, për t’i tërhequr dishepujt pas vetes.

31 Prandaj, rrini syçelë dhe mbani mend se kam tre vjet që, me lot në sy, po paralajmëroj natë e ditë secilin prej jush.

32 Dhe tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe të fjalës së hirit të Tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë ata që janë të shenjtëruar.

33 Nuk kam lakmuar as argjendin as arin as rrobat e ndokujt.

34 Ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që kanë qenë me mua.

35 Në çdo gjë që kam bërë, ju kam treguar se kështu, duke u munduar, duhet t’i ndihmoni nevojtarët dhe të kujtoni fjalët e Zotit Jezus, që Ai Vetë ka thënë: ‘Është bekim më i madh të japësh sesa të marrësh’."

36 Si tha këto, u ul në gjunjë dhe u lut bashkë me të gjithë ata.

37 Të gjithë qanin me të madhe, e rroknin Palin në qafë dhe e puthnin.

38 Ajo që i hidhëroi më shumë, ishin fjalët që tha, se ata nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Dhe e përcollën deri tek anija.



Kapitulli 21

1 Kur u ndamë prej tyre, u nisëm me anije dhe shkuam drejt e në Kos, ditën tjetër në Rodos dhe prej andej në Patarë.

2 Si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe u nisëm me të.

3 Dalluam nga larg Qipron dhe, duke e lënë nga e majta, vazhduam lundrimin për në Siri. Zbritëm në Tir, sepse atje anija do të shkarkonte ngarkesën.

4 Si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; ata i thoshin Palit nëpërmjet Frymës që të mos shkelte në Jeruzalem.

5 Kur i mbushëm ditët, dolëm dhe u nisëm, duke na përcjellë deri jashtë qytetit të gjithë, gra e fëmijë. U ulëm në gjunjë në breg dhe u lutëm.

6 Pastaj i lamë shëndetin njëri-tjetrit; ne hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpi.

7 Duke përfunduar lundrimin, nga Tiri arritëm në Ptolemaidë dhe, pasi u përshëndetëm me vëllezërit, qëndruam një ditë me ta.

8 Të nesërmen u nisëm dhe shkuam në Cezare; hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatë, dhe ndenjëm tek ai.

9 Ky kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.

10 Pasi kishin kaluar mjaft ditë që rrinim atje, zbriti nga Judeja një profet me emrin Agab.

11 Kur erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi këmbët dhe duart e veta dhe tha: "Ja ç’thotë Fryma e Shenjtë: kështu do ta lidhin judenjtë në Jeruzalem burrin të cilit i përket ky brez, dhe do ta japin në duart e kombeve."

12 Kur i dëgjuam këto, ne dhe vendasit e lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.

13 Atëherë Pali u përgjigj: "Ç’po bëni kështu, duke qarë e duke më copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm të lidhem, por edhe të vdes për emrin e Zotit Jezus."

14 Meqë nuk u bind, ne heshtëm dhe thamë: "U bëftë vullneti i Zotit!"

15 Pas këtyre ditëve, u bëmë gati dhe morëm rrugën për në Jeruzalem.

16 Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja, dhe na çuan te një qipriot me emrin Mnason, një dishepull i vjetër, në shtëpinë e të cilit do të bunim.

17 Kur shkuam në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.

18 Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi dhe aty kishin arritur të gjithë pleqtë.

19 Si i përshëndeti, Pali filloi t’u shpjegonte një për një ato që kishte bërë Perëndia midis kombeve nëpërmjet shërbesës së tij.

20 Kur e dëgjuan, ata filluan të lëvdojnë Perëndinë dhe i thanë: "Ti e sheh, o vëlla, sa mijëra judenj kanë besuar dhe të gjithë i përmbahen me zell Ligjit.

21 U kanë folur për ty, që ti i mëson të gjithë judenjtë që janë midis kombeve të largohen nga Moisiu, duke u thënë të mos u bëjnë rrethprerjen fëmijëve dhe të mos ecin sipas zakoneve.

22 Ç’të bëjmë, pra? Ata patjetër do ta marrin vesh që ti ke ardhur.

23 Atëherë, bëj këtë që po të themi ne. Kemi katër burra që janë betuar.

24 Merri me vete, pastrohu bashkë me ta dhe paguaji që ta mbajnë kokën të rruar. Të gjithë do ta marrin vesh se ato që kanë dëgjuar për ty, nuk janë të vërteta, por që edhe ti vetë e bën jetën sipas Ligjit.

25 Sa për ata të kombeve që kanë besuar, ne u kemi shkruar se e gjykuam me vend që ata duhet të heqin dorë nga ushqimi i flijuar për idhujt, nga gjaku, nga mishi i kafshëve të mbytura dhe nga imoraliteti."

26 Pastaj Pali mori burrat me vete dhe të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, shkoi në tempull, për të shpallur afatin e plotësimit të ditëve të pastrimit, sapo të ofrohej flijimi për secilin prej tyre.

27 Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë nga Azia, me ta parë atë në tempull, ngritën të gjithë turmën në këmbë dhe e kapën,

28 duke thirrur: "O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është njeriu që u flet të gjithëve kudo kundër popullit, kundër Ligjit dhe kundër këtij vendi; ai, për më tepër, ka futur edhe grekë në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë."

29 Sepse ata e kishin parë edhe më parë Trofimin nga Efesi në qytet bashkë me të dhe mendonin se e kishte shtënë Pali në tempull.

30 I tërë qyteti u ngrit dhe populli u dynd; si e kapën Palin, e nxorën jashtë tempullit dhe mbyllën menjëherë dyert.

31 Ndërsa kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i vajti një raport se në tërë Jeruzalemin kishte trazira.

32 Ai menjëherë mori disa ushtarë dhe kryeqindës dhe u dynd mbi ta. Ata, kur panë kryemijësin dhe ushtarët, nuk e rrahën më Palin.

33 Kryemijësi u afrua, e kapi dhe urdhëroi që të lidhej me dy palë vargonj. Pastaj filloi ta pyeste kush ishte dhe ç’kishte bërë.

34 Disa në turmë bërtisnin për një gjë, të tjerë për një gjë tjetër dhe, kur nuk mundi të marrë vesh të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.

35 Kur Pali ishte te shkallët, atë e mbajtën ushtarët ndër duar, për shkak të dhunës së turmës së popullit,

36 që i vinte nga pas, duke bërtitur: "Zhdukeni!"

37 Kur po e fusnin në fortesë, Pali i tha kryemijësit: "A më lejohet të të them diçka?" Ai i tha: "Dike greqisht?

38 Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që disa ditë më parë ngriti popullin në kryengritje dhe nxori në shkretëtirë katër mijë vrasës"?

39 Pali tha: "Unë jam judé nga Tarsi i Cilicisë, qytetar i një qyteti jo të parëndësishëm; të lutem, më lejo t’i flas popullit."

40 Me t’i dhënë leje, Pali qëndroi mbi shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit; kur u bë qetësi e madhe, ai foli në dialektin e hebraishtes dhe tha,



Kapitulli 22

1 "Vëllezër dhe etër, dëgjoni tani mbrojtjen time, që po e bëj para jush."

2 Kur e dëgjuan që po u fliste në dialektin e hebraishtes, ata heshtën edhe më shumë. Ai tha,

3 "Unë jam jude, i lindur në Tars të Cilicisë, por jam rritur në këtë qytet. Si nxënës i Gamalielit, kam mësuar me saktësi Ligjin e etërve tanë dhe jam treguar i zellshëm për Perëndinë, ashtu si jeni të gjithë ju sot.

4 I përndoqa deri në vdekje ata që ndiqnin Udhën e Perëndisë, duke lidhur dhe duke futur në burgje burra e gra pa dallim,

5 siç mund të dëshmojë për mua edhe kryeprifti dhe këshilli i pleqve. Madje kam marrë letra prej tyre për vëllezërit dhe kam shkuar në Damask për t’i sjellë të lidhur në Jeruzalem, që të ndëshkoheshin edhe ata që ishin atje.

6 Gjatë rrugës, duke iu afruar Damaskut, aty nga mesdita, një dritë e fortë vetëtiu papritur nga qielli rreth meje.

7 Rashë për tokë dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?"

8 Unë u përgjigja: ‘Kush je ti, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezus nazaretasi, që ti po e përndjek.’

9 Ata që ishin me mua, e panë vërtet dritën, por nuk e dëgjuan zërin që më fliste.

10 I thashë: ‘Çfarë të bëj, o Zot?’ Zoti më tha: ‘Ngrihu e shko në Damask; atje do të të thuhet për të gjitha gjërat që të janë caktuar të bësh.’

11 Ata që ishin me mua, më sollën në Damask duke më marrë për dore, meqë nuk shihja dot për shkak të zbardhëllimit të madh të asaj drite.

12 Atje erdhi për të më parë njëfarë Anania, një njeri i përshpirtshëm që jetonte sipas Ligjit, për të cilin flisnin mirë të gjithë judenjtë që banonin atje.

13 M’u afrua dhe më tha: ‘Vëlla Saul, merre dritën e syve!’ Dhe unë në atë çast ngrita sytë lart dhe e pashë.

14 Ai tha: ‘Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur të njohësh vullnetin e Tij, të shohësh Të Drejtin dhe të dëgjosh fjalë nga goja e Tij.

15 Sepse ti do të jesh dëshmitar për Të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe dëgjuar.

16 Dhe tani ç’pret? Ngrihu, pagëzohu dhe laj mëkatet e tua, duke thirrur në emrin e Tij.’

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe po lutesha në tempull, rashë në kllapi

18 dhe e pashë Atë duke më thënë: ‘Nxito dhe dil shpejt jashtë Jeruzalemit, sepse nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për Mua.’

19 Unë thashë: ‘Zot, ata e dinë se unë i burgosja dhe i rrihja nëpër sinagoga ata që besonin në Ty.

20 Kur u derdh gjaku i Stefanit, i dëshmitarit Tënd, isha edhe unë vetë aty pranë duke miratuar dhe duke ruajtur rrobat e atyre që po e vrisnin.’

21 Ai më tha: ‘Shko, sepse Unë do të të dërgoj larg midis kombeve’."

22 Ata vazhduan ta dëgjojnë deri kur tha këtë fjalë, pastaj ngritën zërin duke bërtitur: "Fshije prej dheut një njeri të këtillë. Ky nuk duhet të jetojë!"

23 Ndërsa ata bërtisnin duke shqyer rrobat dhe duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi që ta sillnin në fortesë. Dha urdhër që ta merrnin në pyetje me kamxhik, që të merrte vesh përse po bërtisnin kështu kundër tij.

25 Kur e shtrinë të lidhur me rripa, Pali i tha kryeqindësit që qëndronte aty pranë: "A ju lejohet të rrihni me kamxhik një qytetar romak, që nuk është gjykuar ende?"

26 Kryeqindësi, me ta dëgjuar këtë, iu afrua kryemijësit dhe i raportoi, duke thënë: "Çfarë ke ndër mend të bësh? Sepse ky njeri është romak."

27 Kryemijësi u afrua dhe i tha: "Më thuaj, romak je?" Ai tha: "Po."

28 Kryemijësi u përgjigj: "Mua m’u desh të paguaja një shumë të madhe parash për të siguruar nënshtetësinë." Pali tha: "Ndërsa unë kam lindur i tillë."

29 Atëherë ata që do ta merrnin në pyetje, u larguan menjëherë prej tij. Edhe kryemijësin e zuri frika kur mori vesh se njeriu që kishte lidhur në pranga, ishte qytetar romak.

30 Por të nesërmen, duke dashur ta merrte vesh me siguri përse e padisnin judenjtë, e zgjidhi dhe urdhëroi që të mblidheshin kryepriftërinjtë dhe i gjithë këshilli i lartë. E zbriti Palin dhe e nxori para tyre.



Kapitulli 23

1 Pali ia nguli sytë këshillit dhe tha: "Vëllezër, deri në këtë ditë, unë kam bërë një jetë me ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë."

2 Kryeprifti Anania u dha urdhër atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.

3 Atëherë Pali i tha: "Perëndia do të të godasë, o mur i zbardhur! Je ulur të më gjykosh sipas Ligjit dhe, duke e shkelur Ligjin, jep urdhër që të më godasin?"

4 Ata që ishin aty pranë thanë: "Kryepriftin e Perëndisë shan ti?"

5 Pali tha: "Nuk e dija, o vëllezër, që ai ishte kryeprift; sepse është shkruar: ‘Për të parin e popullit nuk do të flasësh keq’."

6 Por Pali, duke ditur që një pjesë ishin saducenj dhe të tjerët farizenj, filloi të thërriste në këshill: "Vëllezër, unë jam farize, bir farizenjsh; unë po gjykohem për shpresën time në ngjalljen e të vdekurve!"

7 Kur e tha këtë, midis farizenjve dhe saducenjve lindi një grindje dhe kuvendi u përça.

8 Sepse saducenjtë thonë se nuk ka ngjallje, as engjëll, as frymë, por farizenjtë i pohojnë të dyja.

9 Aty u bë një potere e madhe; disa nga skribët e anës së farizenjve u çuan dhe filluan të zihen, duke thënë: "Nuk po gjejmë asgjë të keqe në këtë njeri; po sikur t’i ketë folur një frymë ose engjëll?"

10 Meqë po bëhej sherr i madh, kryemijësi, duke pasur frikë se mos ata e shqyenin Palin, u dha urdhër ushtarëve të zbrisnin poshtë, ta hiqnin me forcë prej tyre dhe ta çonin në fortesë.

11 Të nesërmen natën, Zoti iu afrua dhe tha: "Bëhu trim! Siç ke dëshmuar për Mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë."

12 Kur zbardhi dita, judenjtë thurën një komplot dhe u betuan, duke thënë se as do të hanin e as do të pinin derisa ta vrisnin Palin.

13 Ata që e thurën këtë komplot, ishin më shumë se dyzet veta.

14 Shkuan te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë dhe thanë: "Jemi përbetuar që asgjë të mos shijojmë derisa të vrasim Palin.

15 Tani pra, ju bashkë me këshillin i kërkoni kryemijësit që ta dërgojë Palin poshtë te ju, kinse për ta hetuar më saktë çështjen e tij; dhe ne, përpara se ai të afrohet, do të jemi gati ta vrasim."

16 Por djali i motrës së Palit, me ta dëgjuar kurthin, shkoi e hyri në fortesë dhe e njoftoi Palin.

17 Ky thirri një nga kryeqindësit dhe i tha: "Çoje këtë djalosh te kryemijësi, sepse ka diçka për t’i thënë."

18 Ai e mori djalin dhe e çoi te kryemijësi dhe tha: "Pali, i burgosuri, më thirri dhe kërkoi që ta bie këtë djalosh te ti, meqenëse ka diçka për të të thënë."

19 Kryemijësi e mori për dore, e tërhoqi mënjanë dhe filloi ta pyeste: "Ç’është ajo që ke për të më njoftuar?"

20 Ai tha: "Judenjtë janë marrë vesh ndërmjet tyre të kërkojnë nga ti që nesër tua dërgosh Palin poshtë në këshill, kinse për ta hetuar më thellë çështjen e tij.

21 Prandaj mos iu bind atyre, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë përbetuar se as do të hanë, as do të pinë, derisa ta vrasin Palin; tani ata janë gati e po presin fjalën tënde."

22 Kryemijësi e lëshoi djaloshin dhe e porositi: "Mos i thuaj askujt që më ke njoftuar për këto."

23 Pastaj thirri dy prej kryeqindësve dhe u tha: "Bëni gati dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind heshtarë për të shkuar deri në Cezare nga ora e tretë e natës.

24 Gjithashtu siguroni kafshë që të hipni Palin dhe ta çoni shëndoshë e mirë tek guvernatori Feliks."

25 Shkroi edhe një letër me këto fjalë:

26 "Klaud Lisia, Shkëlqesisë së tij, guvernatorit Feliks, përshëndetje.

27 Ky njeri u kap nga judenjtë, që ishin gati ta vrisnin. Kur mësova se ai ishte romak, ndërhyra me ushtarët e mi dhe e shpëtova.

28 Desha të merrja vesh shkakun përse e akuzonin dhe e çova poshtë në këshillin e tyre.

29 Mora vesh që e akuzonin për çështje që lidhen me Ligjin e tyre, por nuk kishte asnjë akuzë që ai të meritonte vdekje ose burgim.

30 Me të më njoftuar se kundër këtij njeriu ishte thurur një komplot, ta dërgova menjëherë, duke i porositur edhe paditësit që t’i thonë para teje ato që kanë kundër tij."

31 Atëherë ushtarët, sipas urdhrit që iu dha, morën Palin dhe e çuan gjatë natës në Antipatridë.

32 Të nesërmen ata i lanë kalorësit të shkojnë bashkë me të dhe vetë u kthyen në fortesë.

33 Kur kalorësit hynë në Cezare, ia dorëzuan letrën guvernatorit dhe e sollën edhe Palin para tij.

34 Pasi e lexoi, ai pyeti nga cila krahinë ishte dhe, kur mori vesh që ishte nga Cilicia,

35 tha: "Do të të dëgjoj kur të arrijnë edhe paditësit e tu", dhe dha urdhër që ta ruanin në pallatin e Herodit.



Kapitulli 24

1 Pas pesë ditësh zbriti kryeprifti Anania me disa pleq dhe një orator, njëfarë Tertuli, dhe sollën para guvernatorit akuzat kundër Palit.

2 Pasi thirrën Palin, Tertuli filloi të paraqiste akuzën e tij para Feliksit: "Prej teje po gëzojmë një periudhë të gjatë paqeje dhe falë largpamësisë sate janë kryer reforma për këtë komb.

3 Këtë e pranojmë me plot mirënjohje në çdo gjë dhe kudo, fort i shkëlqyeri Feliks.

4 Por, që të mos të lodh më tepër, po të lutem që me mirësinë tënde të na dëgjosh pak fjalë.

5 Ky njeri na doli një murtajë, që shkakton trazira ndër gjithë judenjtë në mbarë botën, dhe është prijës i sektit të nazaretasve.

6 Ky madje u përpoq të përdhoste tempullin dhe ne e kapëm.

7 Por kryemijësi Lisia erdhi dhe na e hoqi nga duart me forcë të madhe.

8 Duke e marrë atë në pyetje, ti vetë do t’i marrësh vesh të gjitha ato për të cilat e akuzojmë ne."

9 Edhe judenjtë u bashkuan me akuzën, duke thënë se ashtu kishte ndodhur.

10 Kur guvernatori i bëri shenjë të fliste, Pali u përgjigj: "E di se prej shumë vjetësh je gjykatës i këtij kombi, prandaj po e paraqes me kënaqësi mbrojtjen time.

11 Siç mund ta vërtetosh, nuk ka më shumë se dymbëdhjetë ditë që u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar.

12 Këta nuk më kanë gjetur duke bërë debat me ndonjë njeri apo duke nxitur turmën as në tempull, as në sinagoga, as në mbarë qytetin,

13 dhe nuk mund t’i provojnë para teje ato për të cilat më akuzojnë tani.

14 Por këtë po ta pohoj, se adhuroj Perëndinë e etërve tanë, sipas Udhës të cilën ata e quajnë sekt. Besoj në të gjitha gjërat që pajtohen me Ligjin dhe në ato që janë shkruar te Profetët,

15 duke pasur shpresë te Perëndia, shpresë të cilën e kanë edhe këta vetë, se do të ketë ngjallje si për të drejtët ashtu edhe për të padrejtët.

16 Prandaj edhe unë përpiqem të kem një ndërgjegje të panjollosur para Perëndisë dhe para njerëzve.

17 Tani, pas shumë vjetësh, kam ardhur t’i sjell kombit tim lëmosha dhe të ofroj blatime.

18 Kur isha në tempull, disa judenj të Azisë më gjetën të pastruar, pa ndonjë turmë rreth vetes e pa shkaktuar ndonjë trazirë.

19 Ata duhet të kishin dalë para teje dhe të më padisnin po të kishin ndonjë gjë kundër meje.

20 Ose vetë këta le të thonë çfarë padrejtësie kanë gjetur, kur dola para këshillit,

21 veç në mos qoftë kjo fjali e vetme që thirra kur qëndroja midis tyre: ‘Për ngjalljen e të vdekurve unë po gjykohem sot prej jush.’

22 Atëherë Feliksi, që e njihte mjaft mirë Udhën, ua shtyu ditën e gjyqit, duke thënë: "Kur të zbresë kryemijësi Lisia, do të vendos për çështjen tuaj."

23 I dha urdhër kryeqindësit që ta ruante Palin, por t’i linte njëfarë lirie dhe kushdo që shkonte për t’i shërbyer, të mos pengohej.

24 Pas disa ditësh arriti Feliksi me të shoqen, Druzilën, që ishte jude. Ai dërgoi të sillnin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezus Krishtin.

25 Kur diskutonte për drejtësi, vetëpërmbajtje dhe për gjykimin e ardhshëm, Feliksi u frikësua dhe u përgjigj: "Tani për tani shko dhe, kur të gjej kohë, do të të thërres."

26 Ndërkohë ai shpresonte se Pali do t’i jepte para, prandaj dërgonte për ta thirrur më shpesh dhe bisedonte me të.

27 Pasi kaluan dy vjet, vendin e Feliksit e zuri Porc Festi. Por Feliksi, duke dashur t’u bënte qejfin judenjve, e la Palin në burg.



Kapitulli 25

1 Festi pra, tri ditë pasi arriti në krahinë, u ngjit nga Cezareja në Jeruzalem,

2 ku kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën akuza kundër Palit.

3 Ata e lutnin dhe i kërkonin me ngut t’u bënte një nder, që ta sillte Palin në Jeruzalem, pasi kishin përgatitur një kurth për ta vrarë gjatë rrugës.

4 Atëherë Festi u tha se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë kishte ndër mend të largohej së shpejti.

5 "Prandaj", tha ai: "le të zbresin bashkë me mua ata që kanë pushtet midis jush dhe ta padisin, nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon te ky njeri."

6 Pasi kaloi jo më shumë se tetë a dhjetë ditë midis tyre, zbriti në Cezare dhe të nesërmen zuri vend në fronin e gjyqit dhe urdhëroi të sillnin Palin.

7 Me të arritur, e rrethuan judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi, dhe ngritën kundër tij akuza të shumta e të rënda, por që nuk ishin në gjendje t’i vërtetonin.

8 Ndërkohë Pali tha, duke mbrojtur veten: "Nuk kam bërë ndonjë mëkat as kundër Ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit."

9 Por Festi, duke dashur t’u bënte qejfin judenjve, iu përgjigj Palit dhe tha: "Do që të ngjitesh në Jeruzalem dhe të gjykohesh para meje atje për këto akuza?"

10 Por Pali tha: "Po qëndroj tani para gjyqit të Cezarit, ku duhet të gjykohem. Asgjë të keqe nuk u kam bërë judenjve, siç e di shumë mirë edhe ti.

11 Po të jem vërtet fajtor dhe po të kem bërë ndonjë gjë që meriton vdekjen, nuk ngurroj të vdes. Por nëse asnjë prej akuzave që më bëjnë, nuk është e vërtetë, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Kërkoj të gjykohem prej Cezarit."

12 Pastaj Festi, si bisedoi me këshillin e lartë, u përgjigj: "Prej Cezarit kërkon të gjykohesh, te Cezari do të shkosh."

13 Si kaluan disa ditë, mbreti Agripa dhe Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14 Meqë po kalonin mjaft ditë atje, Festi ia parashtroi mbretit rastin e Palit, duke thënë: "Kemi një njeri që e ka lënë në burg Feliksi.

15 Kur isha në Jeruzalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve kishin ngritur akuza kundër tij dhe kërkonin ta dënonin.

16 U thashë se romakët nuk e kanë zakon të dorëzojnë ndonjë njeri përpara se i padituri të dalë ballë për ballë me paditësit e vet dhe t’i jepet mundësia për t’u mbrojtur nga akuza.

17 Atëherë ata u mblodhën këtu dhe unë pa u vonuar, thirra të nesërmen gjyqin dhe dhashë urdhër që ta sillnin atë njeri.

18 Paditësit u ngritën dhe nuk sollën asnjë akuzë kundër tij për krimet që prisja unë.

19 Ata kishin disa pika mospajtimi me të në lidhje me fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi që ka vdekur, për të cilin Pali thoshte se është gjallë.

20 Duke qenë në mëdyshje për hetimin e këtyre çështjeve, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jeruzalem dhe atje të gjykohej për këto akuza.

21 Por kur Pali paraqiti kërkesën që ta mbanin derisa të jepte pëlqimin Perandori, dhashë urdhër që ta ruanin, derisa ta dërgoja te Cezari."

22 Agripa i tha Festit: "Edhe unë vetë do të doja ta dëgjoja atë njeri." Ky iu përgjigj: "Nesër do ta dëgjosh."

23 Kështu, të nesërmen, Agripa dhe Bernika erdhën me shumë madhështi dhe hynë në sallë bashkë me ushtarakët e lartë dhe njerëzit e shquar të qytetit. Me urdhër të Festit, e sollën Palin.

24 Festi tha: "O mbret Agripë dhe të gjithë ju o burra që jeni të pranishëm me ne, shikojeni këtë! I gjithë populli i judenjve më është drejtuar mua, si në Jeruzalem edhe këtu, duke thirrur që ai nuk duhet të jetojë më.

25 Por, me sa mora vesh, ai nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen dhe, meqenëse ky vetë ka kërkuar të gjykohet nga Perandori, vendosa ta dërgoj në Romë.

26 Por unë nuk kam asgjë të sigurt për të që t’i shkruaj tim zoti. Prandaj, e solla para jush dhe sidomos para teje, o mbret Agripë, që pasi të jetë marrë në pyetje, të kem çfarë të shkruaj.

27 Sepse më duket pa kuptim të dërgoj një të burgosur, pa treguar akuzat që bëhen kundër tij."



Kapitulli 26

1 Agripa i tha Palit: "Ke leje të flasësh për veten tënde." Atëherë Pali zgjati dorën dhe filloi të paraqesë mbrojtjen e vet.

2 "Për sa u përket të gjitha akuzave që më ngrenë judenjtë, o mbret Agripë, e quaj veten të lumtur që po e paraqes sot para jush mbrojtjen time,

3 për më tepër që ti je i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet ndër judenjtë; prandaj, të lutem, të më dëgjosh me durim.

4 Kështu pra, të gjithë judenjtë e dinë si kam rrojtur që në rini, duke e kaluar jetën, që prej fillimit, midis kombit tim dhe në Jeruzalem.

5 Ata më kanë njohur prej kohësh dhe mund të dëshmojnë, po të duan, që kam jetuar si farize, sipas sektit më të rreptë të fesë sonë.

6 Dhe tani qëndroj para gjyqit për shpresën e premtimit që Perëndia u dha etërve tanë,

7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, duke i shërbyer me zell Perëndisë natë e ditë, shpresojnë ta arrijnë; për këtë shpresë, o mbret, po më akuzojnë judenjtë.

8 Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia ngjall të vdekurit?

9 Kështu pra, unë mendoja me veten time se duhet të bëja ç’të mundja kundër emrit të Jezusit të Nazaretit.

10 Dhe pikërisht këtë kam bërë në Jeruzalem. Pasi m’u dha pushtet nga kryepriftërinjtë, mbylla në burg shumë nga shenjtërit dhe, kur i vrisnin, unë jepja votën time kundër tyre.

11 Shpeshherë, në çdo sinagogë që i ndëshkoja, i detyroja të blasfemonin. Aq shumë egërsohesha me ta, saqë i përndiqja madje deri në qytetet e huaja.

12 Njëherë, kur udhëtoja për në Damask, me pushtet e porosi të kryepriftërinjve,

13 në mesditë, pashë gjatë rrugës, o mbret, një dritë nga qielli, më të ndritshme se dielli, që vetëtinte rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua.

14 Ramë të gjithë përtokë dhe unë dëgjova një zë që më thoshte në dialektin hebraisht: ‘Saul, Saul, përse më përndjek? E ke të vështirë t’u biesh me shkelm thumbave të hostenit."

15 Unë thashë: ‘Kush je Ti, o Zot?’ dhe Zoti tha: ‘Unë jam Jezusi, që ti po e përndjek.

16 Por ngrihu dhe qëndro më këmbë, sepse prandaj t’u shfaqa, për të të caktuar shërbyes dhe dëshmitar të gjërave që ke parë [për Mua] dhe për ato që do të të tregoj.

17 Do të të çliroj nga populli yt dhe nga kombet, te të cilat Unë po të dërgoj

18 që t’u hapësh sytë, të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, të gëzojnë faljen e mëkateve dhe të trashëgojnë një vend bashkë me ata që janë shenjtëruar me anë të besimit në Mua.’

19 Kështu pra, o mbret Agripë, nuk u tregova i pabindur ndaj vegimit qiellor,

20 por vazhdova t’u predikoj më parë atyre në Damask, në Jeruzalem dhe në gjithë krahinën e Judesë, si edhe kombeve, që të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke kryer vepra të denja pendimi.

21 Për këto më kapën judenjtë në tempull dhe u përpoqën të më vrasin.

22 Pra, me ndihmën e Perëndisë, po qëndroj deri në këtë ditë duke i dhënë dëshmi të madhit e të voglit dhe nuk them asgjë tjetër veç atyre që kanë folur profetët dhe Moisiu se do të ndodhin:

23 që Krishti duhej të vuante dhe, meqë ishte i pari që u ngjall prej të vdekurve, Ai do t’u shpallte dritën si popullit ashtu dhe kombeve."

24 Ndërsa Pali mbronte veten duke thënë këto gjëra, Festi tha me zë të lartë: "Ti ke luajtur mendsh, o Pal! Studimet e shumta të kanë bërë të marrë."

25 Por Pali tha: "Nuk kam luajtur mendsh, fort i shkëlqyeri Fest, por po flas fjalë të vërteta dhe plot kuptim.

26 Sepse mbreti, të cilit po ashtu po i flas hapur, ka dijeni për këto punë. Jam i bindur se atij nuk i shpëton asgjë nga këto gjëra, sepse kjo nuk është bërë në fshehtësi.

27 A i beson profetët, o mbret Agripë? E di që i beson."

28 Agripa i tha Palit: "Për pak edhe mua do të më bindësh të bëhem i krishter."

29 Pali tha: "Dashtë Perëndia, që shpejt a vonë, jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot, të bëhen të tillë, ashtu siç jam edhe unë, por pa këto pranga."

30 Mbreti, guvernatori dhe Bernika, si edhe ata që ishin ulur bashkë me ta, u ngritën.

31 Duke u larguar, filluan të flisnin me njëri-tjetrin e thoshin: "Ky njeri nuk po bën ndonjë gjë që të meritojë vdekjen ose prangat."

32 Agripa i tha Festit: "Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos kishte kërkuar të gjykohej nga Cezari."



Kapitulli 27

1 Kur u vendos që të lundronim për në Itali, Palin dhe disa të tjerë ia dorëzuan një kryeqindësi të kohortës perandorake, me emrin Jul.

2 Si hipëm në një anije të Adramitit, që do të shkonte nëpër vendet gjatë brigjeve të Azisë, u nisëm për lundrim. Me vete kishim Aristarkun, një maqedonas nga Selaniku.

3 Të nesërmen zbritëm në Sidon. Juli e trajtoi Palin njerëzisht dhe e lejoi të shkonte te miqtë e tij, që të kujdeseshin për të.

4 U nisëm prej andej, por meqë erërat i kishim kundër, lundruam nga ana e poshtme e Qipros.

5 Si përshkuam me anije detin gjatë brigjeve të Cilicisë dhe të Pamfilisë, zbritëm në Mirë të Licisë.

6 Kryeqindësi gjeti atje një anije të Aleksandrisë, që lundronte për në Itali, dhe na hipi në të.

7 Lundruam ngadalë për shumë ditë dhe mezi arritëm deri përballë Knidit. Meqë na pengonte era, lundruam nga ana e poshtme e Kretës pranë Salmonit.

8 Si e kaluam me vështirësi, arritëm në një vend të quajtur Limanet e Bukura, pranë të cilit ishte qyteti Lasea.

9 Kishte kaluar mjaft kohë dhe lundrimi tani ishte bërë i rrezikshëm, meqë edhe koha e agjërimit tashmë kishte kaluar. Pali filloi t’i paralajmëronte,

10 duke u thënë: "Burra, e shoh se lundrimi do të bëhet me dëme dhe humbje të mëdha, jo vetëm për ngarkesën dhe anijen, por edhe për jetën tonë."

11 Por kryeqindësi kishte më shumë besim te timonieri dhe te kapiteni i anijes, sesa tek ato që thoshte Pali.

12 Meqë limani nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica shprehën mendimin të niseshin me anije prej andej, që të mund të arrinin për të dimëruar në Feniks, një liman i Kretës, që sheh nga jugperëndimi dhe veriperëndimi.

13 Kur filloi të fryjë lehtë juga, ata menduan se tani kishin atë që donin. Ngritën çengelin dhe filluan të lundrojnë gjatë brigjeve të Kretës.

14 Por pas pak prej ishullit vërshoi një erë e stuhishme, që quhet euroklidon.

15 Kur pamë që era e rrëmbeu anijen dhe ajo nuk ishte më në gjendje t’i bënte ballë erës, e lamë të na shpinte sa andej këtej.

16 Si kaluam nxitimthi poshtë një ishulli të vogël të quajtur Kauda, mezi mundëm të vëmë nën kontroll sandallin e anijes.

17 E ngritën lart dhe përdorën mjetet që duheshin për ta lidhur anijen me litarë nga poshtë. Nga frika se mos takonin në cekëtinat e Sirtës, ulën velën dhe e lanë anijen të lirë në mëshirën e detit.

18 Të nesërmen, meqë stuhia po na shkundte me forcë, filluan të hedhin ngarkesën.

19 Ditën e tretë, me duart e veta hodhën në det pajisjet e anijes.

20 Kaluan shumë ditë dhe as dielli, as yjet nuk po dukeshin. Stuhia po bëhej më e vrullshme dhe tashmë dukej e humbur çdo shpresë shpëtimi.

21 Meqë kishin një kohë të gjatë pa ushqim, Pali u ngrit në mes tyre dhe tha: "O burra, duhet të më kishit dëgjuar mua e të mos ishit nisur nga Kreta, që të mos pësonim këtë dëmtim dhe humbje.

22 Tani ju këshilloj të mos e lëshoni veten, sepse askush prej jush nuk do të humbë jetën; vetëm anija do të marrë fund.

23 Sepse këtë natë pranë meje qëndroi një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe i shërbej,

24 dhe më tha: ‘Mos ki frikë, Pal. Ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia t’i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty.’

25 Prandaj, merrni zemër, burra, sepse i besoj Perëndisë, se ashtu siç më ka thënë, ashtu do të ndodhë.

26 Por ne duhet të biem në ndonjë ishull."

27 Ishte nata e katërmbëdhjetë që endeshim sa andej këtej në detin Adriatik dhe aty nga mesi i natës detarët filluan të mendojnë se po i afroheshin tokës.

28 Si hodhën plumbçin, panë që deti aty ishte njëzet pashë thellë. Kur u larguan pak më tutje dhe hodhën përsëri plumbçin, panë që ishte pesëmbëdhjetë pashë thellë.

29 Nga frika se mos takonim ndër shkëmbinj, hodhën nga kiçi katër çengelat dhe filluan të luten që të zbardhte dita.

30 Detarët po kërkonin të iknin nga anija dhe kishin ulur sandallin e anijes në det, kinse donin të lëshonin çengelat.

31 Pali i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: "Po të mos qëndrojnë këta në anije, as ju nuk mund të shpëtoni."

32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit të anijes dhe e lanë të binte në det.

33 Kur po zbardhte dita, Pali filloi t’u japë zemër të gjithëve që të hanin diçka, duke thënë: "Sot është dita e katërmbëdhjetë që jeni në pritje dhe pa ushqim; nuk keni vënë asgjë në gojë.

34 Prandaj, ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj. Asnjë fije floku nuk do t’ju humbasë."

35 Si tha këto, mori bukën dhe falënderoi Perëndinë përpara të gjithëve; e theu dhe filloi të hante.

36 Të gjithë morën zemër; edhe ata vetë filluan të hanë.

37 Në anije ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38 Si hëngrën e u ngopën, filluan ta lehtësojnë anijen duke hedhur grurin në det.

39 Kur zbardhi dita, nuk po e dallonin dot vendin; megjithatë vunë re një gji me një breg ranor dhe vendosën që po të mundnin, ta shtynin anijen atje.

40 Si i liruan çengelat, i lëshuan në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë litarët e timonit. Ngritën velën kryesore që rreh era dhe u drejtuan te bregu.

41 Kur anija preku në një cekëtinë me det nga të dy anët, e ngecën anijen në tokë; bashi u ngul pa lëvizur, ndërsa kiçi filloi të shkatërrohej nga furia [e dallgëve].

42 Plani i ushtarëve ishte që t’i vrisnin të burgosurit, që asnjë të mos u ikte me not dhe të shpëtonte.

43 Por kryeqindësi, duke dashur të shpëtonte Palin, ua ndaloi atë që kishin në kokë dhe u dha urdhër atyre që dinin not, të hidheshin të parët dhe të dilnin në tokë,

44 të tjerët të dilnin kush mbi dërrasa e kush mbi disa pjesë të tjera të anijes. Dhe kështu të gjithë dolën shëndoshë e mirë në tokë.



Kapitulli 28

1 Si dolëm shëndoshë e mirë në breg, morëm vesh se ishulli quhej Maltë.

2 Vendësit treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë; meqë kishte rënë shi dhe bënte ftohtë, ndezën një zjarr dhe na afruan të gjithëve.

3 Pali mblodhi një tufë me shkarpa dhe me t’i vënë në zjarr, doli një nepërkë nga të nxehtët dhe iu ngjit në dorë.

4 Vendasit, kur e panë nepërkën që varej në dorën e tij, thoshin me njëri-tjetrin: "Ky njeri është pa dyshim vrasës, sepse megjithëse shpëtoi nga deti, drejtësia nuk e lë të jetojë."

5 Megjithatë, ai e shkundi nepërkën në zjarr dhe nuk pësoi asgjë të keqe.

6 Ata prisnin që ai të ënjtej ose të binte në çast i vdekur. Por, pasi pritën për një kohë të gjatë dhe, kur panë se atij nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje dhe filluan të thonë që ai ishte perëndi.

7 Tokat aty rreth e rrotull i përkitnin të parit të ishullit, që quhej Publius. Ai na mbajti për tri ditë dhe na argëtoi me dashamirësi.

8 I ati i Publiusit dergjej në shtrat duke vuajtur nga ethet dhe nga barku i keq. Pali shkoi tek ai dhe, si u lut, vuri duart mbi të dhe e shëroi.

9 Pas kësaj ngjarjeje, pjesa tjetër e njerëzve në ishull, që kishin sëmundje, vinin tek ai dhe shëroheshin.

10 Ata na mbajtën me shumë nderime dhe, kur u nisëm për lundrim, na dhanë gjithçka që na nevojitej.

11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që kishte dimëruar në ishull. Në ballë kishte shenjën e Binjakëve.

12 Si zbritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë

13 dhe prej andej, duke lundruar rreth bregut, arritëm në Regjum. Ditën tjetër filloi të fryjë juga dhe të nesërmen e asaj dite erdhëm në Puteoli,

14 ku gjetëm disa vëllezër, të cilët na u lutën të qëndronim me ta për shtatë ditë. Dhe kështu arritëm në Romë.

15 Vëllezërit atje, kur dëgjuan për ne, erdhën për të na takuar që nga Forumi i Apit dhe Tri Tavernat. Pali, kur i pa, falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.

16 Kur hymë në Romë, Palin e lanë të banonte vetëm, me një ushtar që ta ruante.

17 Pas tri ditësh ai thirri të parët e judenjve dhe, kur u mblodhën, filloi t’u thoshte: "Unë, o vëllezër, nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo zakoneve të etërve tanë, megjithatë më kanë dorëzuar si të burgosur nga Jeruzalemi në duart e romakëve.

18 Pasi më morën në pyetje, deshën të më lironin, sepse nuk kishte asnjë shkak që unë të meritoja vdekjen.

19 Por kur judenjtë kundërshtuan, u detyrova t’i drejtohem Cezarit, por jo se kisha ndonjë akuzë kundër kombit tim.

20 Për këtë arsye pra, kërkova t’ju shoh dhe të flas me ju, sepse për hir të shpresës së Izraelit jam lidhur me këtë vargua."

21 Ata i thanë: "Ne nuk kemi marrë letra nga Judeja për ty, as nuk ka ardhur ndonjë nga vëllezërit për të raportuar ose për të folur ndonjë gjë të keqe për ty.

22 Por duam të dëgjojmë prej teje ato që mendon, sepse e dimë që për këtë sekt flitet kudo kundër."

23 Si i caktuan një ditë, erdhën shumë njerëz aty ku banonte. Ai u shpjegonte duke dëshmuar për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej nga mëngjesi deri në mbrëmje t’i bindte për Jezusin duke u nisur nga Ligji i Moisiut dhe nga Profetët.

24 Disa bindeshin me ato që thoshte ai, por të tjerë nuk besonin.

25 Duke mos u marrë vesh me njëri-tjetrin, ata filluan të largohen. Atëherë Pali iu drejtua me këto fjalë: "Mirë foli Fryma e Shenjtë kur u tha etërve tuaj nëpërmjet profetit Isaia,

26 ‘Shko te ky popull dhe thuaji: "Me veshë do të dëgjoni, por nuk do të merrni gjë vesh; me sy do të vështroni, por nuk do të shihni.

27 Sepse zemra e këtij populli është ngurtësuar dhe veshët u janë rënduar; sytë i kanë mbyllur. Përndryshe, do të shihnin me sy, do të dëgjonin me veshë, do të kuptonin me zemër e do të ktheheshin, dhe Unë do t’i shëroja".’

28 Ta dini pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua kombeve dhe ata do ta dëgjojnë."

29 Dhe kur tha këto, judenjtë patën një debat të madh midis tyre.

30 Pali qëndroi plot dy vjet në banesën e vet me qira dhe i priste të gjithë ata që shkonin për ta takuar.

31 Me guxim dhe pa asnjë pengesë ai predikoi mbretërinë e Perëndisë dhe i mësoi njerëzit për Zotin Jezus Krisht.


albanianorthodox.com