Contents

« Prev Amos 3 Next »

Chapter 3

1 Dëgjoni këtë fjalë që Zoti ka shqiptuar kundër jush, o bij të Izraelit, kundër tërë familjes që nxora nga vendi i Egjiptit: 2 "Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t'ju ndëshkoj për të gjitha paudhësitë tuaja". 3 A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë? 4 A vrumbullon luani në pyll në rast se nuk ka një gjah përpara? A do ta ngrerë zërin luani i vogël nga strofka e i tij në rast se nuk ka kapur diçka? 5 A bie vallë zogu në një kurth në tokë, po të mos i jetë vënë një lak? A shkrehet kurthi nga toka, në rast se nuk ka zënë diçka? 6 Në rast se në qytet i bien borisë, a nuk do të trembet vallë populli? Në rast se në një qytet ndodh një fatkeqësi, a nuk e ka shkaktuar vallë Zoti? 7 Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve. 8 Luani vrumbulloi, kush nuk do të ketë frikë? Zoti, Zoti, foli, kush nuk do të profetizojë? 9 "Bëjeni të dëgjohet në pallatet e Ashdodit dhe në pallatet e vendit të Egjiptit dhe thoni: Mblidhuni në malet e Samarisë dhe shikoni sa parregullsi ka në mes të saj dhe shtypje brenda saj. 10 Ata nuk dinë të bëjnë atë që është e drejtë, thotë Zoti, në pallatet e tyre grumbullojnë dhunë dhe grabitje". 11 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Armiku do të rrethojë nga çdo anë vendin, do të shembë fuqinë tënde dhe pallatet e tua do të plaçkiten". 12 Kështu thotë Zoti: "Ashtu si një bari shkëput nga goja e luanit dy këmbë ose një copë veshi, kështu do të shkëputen bijtë e Izraelit që në Samari rrinë në cepin e një shtrati ose mbi damaskun e një divani. 13 Dëgjoni dhe dëshmojeni në shtëpinë e Jakobit", thotë Zoti, Zoti, Perëndia i ushtrive, 14 "ditën në të cilën unë do të ndëshkoj Izraelin për shkeljet e tij, do të ndëshkoj edhe altarët e Bethelit; brirët e altarit do të copëtohen dhe do të bien për tokë. 15 Do të godas shtëpitë e dimrit bashkë me shtëpitë e verës; shtëpitë prej fildishi do të shkatërrohen dhe shtëpitë e mëdha do të zhduken", thotë Zoti.

« Prev Amos 3 Next »
VIEWNAME is workSection